TIRANË – Shitja abuzive e pronave të ushtrisë, veçanërisht në zonat bregdetare dhe shumë të lakmueshme të vendit, si Ksamil e Babicë nën vlerën e tregut, nga ministri i Mbrojtjes Arben Imami, është denoncuar me forcë sot nga Partia Socialiste.
 
Deputetja socialiste Ermonela Felaj, në një deklaratë për shtyp, i ka bërë thirrje sot ministrit Imami dhe qeverisë “Berisha” që të mos shesin pronat shtetërore me çmime të lira në këto momente kur duhej të merrej me transferimin e pushtetit.

"Arben Imami duket i vendosur ta çojë deri në fund zullumin e tij në krye të Ministrisë së Mbrojtjes duke nxjerrë në ankand një numër pronash të Ushtrisë Shqiptare. Në ankandin e datave 16 dhe 17 korrik, ky ministër ka nxjerrë në shitje me një çmim ndjeshëm nën vlerën e tregut, disa prona në zonat më të lakmueshme turistike të vendit, siç është për shembull një sipërfaqe prej 3000 metrash katrorë në Ksamil e nxjerrë në shitje me një çmim fillestar prej 12 milion lekësh apo një truall prej 625 metrash katrorë në Babicë për vetëm 2 milionë lekë. Prandaj e përsërisim sot edhe njëherë thirrjen, së pari, për vetë Arben Imamin që të tërhiqet nga çdo akt abuzimi me pronën publike,"- theksoi ajo.
 
Felaj i bëri thirrje edhe sipërmarrësve të interesuar për këto prona që të mos hyjnë në marrëdhënie biznesi apo kontraktuale me këtë qeveri në ikje, veçanërisht me ministrin Imami që ka spikatur me bëmat e tija abuzive. 

"Ndjejmë po ashtu detyrimin të përsërisim thirrjen edhe ndaj sipërmarrësve që të mos përfshihen në asnjë marrëdhënie të re parash apo pronash me këtë qeveri, e cila në çdo vend demokratik në këto momente do të duhej vetëm të përkujdesej për transferimin e detyrës e jo të merrte vendime të këtij karakteri,"- përfundoi deputetja.
  
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)