PS voton kundër
ndryshimeve në Kodin Penal

PS voton kundër <br />ndryshimeve në Kodin Penal
TIRANE- Përfaqësuesit e PS kanë votuar kundër ndryshimve në Kodin Penal. Menjëherë pas votës kundër të opozitës kanë plasur debate të tjera mes opozitës dhe mazhorancës. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmajli ka akuzuar deputetët e majtë se kanë për qëllim të hedhin në erë gjithë punën e bërë deri më tani.

“Qëllimi juaj të hidhni në erë gjithë punën. Preteksti juaj për mos ta votuar mund të diskutohej më vete si nismë e vecantë, të diskutohej nga ekspertë të fushës”, ka thënë Rusmajli.

Ora 12.38-FALSIFIKIMI I STATISTIKAVE, PS: TE DENOHET ME BURG
Nisin debatet në Komisionin e Ligjeve mbi falsifikimin e statistikave zyrtare. Opozita ka kërkuar dënime me burg, deri në 10 vite, për ata që manipulojnë statistikat zyrtare, duke kukuar të shmanget ajo që i ndodhi Greqisë.

Ndërkohë që Partia Demokratike e ka kundërshtuar këtë propozim duke thënë se është në kundërshtim me kushtetutën. PD shprehet se vendi jonë mbikëqyret nga ndërkombëtarët.

Deputetët e Partisë Socialiste vlerësojnë domosdoshmërinë e ndëshkimit të personave që bëhen pjesë e këtij manipulimi duke e cilësuar atë si një vepër penale. “Falsifikimi i të dhënave statistikore zyrtare dhe administrative nga nëpunësi publik në ushtrimin e funksionit të tij zyrtar, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se njëherë apo ka sjellë pasojë të rënda në deformimin e tregut ose ekonominë e vendit dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga 500 mijë deri në dy milionë lekë”, thuhet në paketën e ndryshimeve që priten të diskutohet sot në Komisionin e Ligjeve.

KERKESAT E OPOZITES
Përfaqësues të opozitës kërkuan shtimin e një pike në nenin 45 të Kodit Penal në mënyrë që asnjë zyrtar i lartë të mos i shmanget përgjegjësive së abuzimit me detyrën. “Ministrat janë përgjegjës individualisht për aktet e institucioneve që drejtojnë. Kryeministri ose ministri përgjigjet penalisht kur aktet e Këshillit të Ministrave të miratuara me nismën e tij apo për të cilat institucionet që drejtojnë kanë dhënë mendim, janë të kundërligjshme dhe u kanë sjellë atij ose personave të lidhur me të, përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë. Përgjegjësi penale e Kryeministrit dhe e ministrave rregullohet me ligj të veçantë. (pjesë përbërëse e këtij kodi)”,- thuhej në propozimin e Partisë Socialiste. Nga ana e saj PD nuk ka pranuar propozimin e opozitës për përgjegjësitë penale të Kryeministrit dhe ministrave.

Shqyrtimi i pr/ligjit nisi dje pasdite, dhe pas katër orë diskutimesh mes zv.ministres së Drejtësisë, Brikena Kasmi dhe deputeteve të PS-së, Ermonela Felaj e Vasilika Hysi, u ra dakord vetëm që neni të vazhdojë të shqyrtohet sërish sot.

Në draftin e PS-së, i cli u shqyrtua dje pasdite edhe nga Ministria e Drejtësisë, të gjithë anëtarët e qeverisë janë penalisht përgjegjës për aktet e përmbushura në ushtrimin e funksioneve të tyre dhe që kualifikohen si vepra penale në kohën kur ato janë kryer. Në kuadër të dënimit të zyrtarëve të lartë, PS kërkon rishikimin e vendimit për pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënies në provë.
Nga ana e saj zv.ministrja e Drejtësisë ka mbrojtur qëndrimin se “dispozita e propozuar synon të vërë përpara përgjegjësisë penale iniciatorin ose propozuesin e aktit administrativ. Ky formulim synon nga njëra anë të sjellë përgjegjësinë penale të organit kolegjial dhe, nga ana tjetër, të transferojë përgjegjësinë penale nga një vendimmarrje kolektive në një person.

PROPOZIMET E TJERA
Në propozimet e Partisë Socialiste, që do të shqyrtohet sot, janë rritur dënimet me burg për veprat “marrëdhëniet homoseksuale me dhunë me të rritur”, “veprat e turpshme” dhe “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”. Konkretisht, në ligjin aktual, kryerja e marrëdhënieve homoseksuale me dhunë me të rritur dënohet me burgim nga dy gjer në shtatë vjet. Ndërsa tani, sipas propozimeve të Partisë Socialiste, kjo vepër do të dënohet nga tre gjer në shtatë vjet heqje lirie.

ABUZIMET NE TENDERA
Zyrtarët të cilët do të shkelin barazinë e pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike do të rrezikojnë deri në tre vjet burg. Anëtarët e Komisionit të Ligjeve do të vendosin nëse do të rrisin dënimet për zyrtarët që do të ndërhyjnë në garë duke hequr dënimin me gjobë. Në shumë raste, zyrtarët përfitonin dënime vetëm me gjobë duke iu shmangur dënimit me burg. “Kryerja nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik i veprimeve në kundërshtim me ligjet që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e shtetasve në tenderë dhe ankande publike, për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, dënohet me burgim gjer në tre vjet”,- thuhet në propozim. “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë, në thelb është shpërdorim detyre, por i specifikuar nga një nen i veçantë, dhe nuk ka kuptim që shpërdorimi i detyrës të dënohet me burg plus gjobë, kurse ky me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

RRITET DENIMI ME BURG PER PERDHUNIMET HOMOSEKSUALE
Kryerja e marrëdhënieve homoseksuale me dhunë me të rritur do dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet. Ligjvënësi ka rritur me një vit kufirin minimal të dënimit. Kur marrëdhënia homoseksuale me dhunë kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose kur të dëmtuarit i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet. Ndërsa kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e të dëmtuarit dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet. Gjithashtu për veprat e turpshme, Komisioni i ligjeve ka vendosur një kufi minimal për dënimin e të gjithë atyre që kryejnë vepra të turpshme. Neni 108 për “Vepra të turpshme”, dënimi me burgim gjer në pesë vjet pritet të ndryshojë me fjalët “dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet”.

DENIME TE ASHPRA PER VJEDHJE E MASHTRIM
Komisioni i Ligjeve pritet që të miratojë dënime më të ashpra për ata që kryejnë vjedhje apo mashtrime. Kur vjedhja shoqërohet me pasoja të rënda në raport me të dëmtuarin, grabitësit do të dënohen me burgim nga katër deri në dhjetë vjet. Në rast te vjedhjes së pasurisë, burgimi do jetë me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Ligjvënësit kanë hequr kufirin minimal burg me tre muaj duke e zëvendësuar me gjobë. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. E njëjta vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda në raport me të dëmtuarin, dënohet me burgim nga katër deri në dhjetë vjet. Në ato raste kur vjedhja e pasurisë e kryer nga personi, që ka për detyrë ta ruajë dhe ta administrojë atë, apo duke shpërdoruar detyrën, dënimi që pritet të vendoset do të jetë me burgim gjer në dhjetë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë. Ndërhyrje në Kod është kërkuar dhe për mashtrimin. Vjedhja e pasurisë me anë të gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, në raport me të dëmtuarin, me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

(sg/shekulli/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh