TIRANË- Kreu i qeverisë shqiptare, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, mblodhi në kryesinë e Kuvendit,  grupin e tij parlamentar. Një mbledhje e përjavshme, që këtë të hënë përkoi me raportimin e presidentit Ilir Meta po në komisionin parlamentar hetimor për dekretet për zgjedhjet vendore, po në kryesinë e Kuvendit.

Mbledhja nisi në orën 09:00 të mëngjesit dhe zgjati përreth 60 minuta. Burime nga mbledhja bëjnë të ditur se kryeministri Edi Rama ka kërkuar që secili të angazhohet në zonat e tyre elektorale, të bëjnë takime në çdo organizatë. Ndryshe - mësohet të jetë shprehur kryesocialisti - të japin dorëheqjen!

Kush nuk e bën, ta konsiderojë si kërkesë për dorëheqje nga grupi parlamentar dhe karriera në këtë grup”, është shprehur kryeministri.

Kreu i qeverisë tha se nëse vazhdohet kështu, do të pësohet humbje, dhe sipas tij, gjithsecili duhet të bëjë detyrën duke i kthyer Partisë Socialiste atë që ka marrë prej saj. Kryeministri Rama mësohet të ketë qenë mjaft kritik sa i takon mungesës së raportimeve për ato që nuk shkojnë kryesisht me shërbimin në zyrat e shtetit.

“Partia Socialiste s’mund të qëndrojë në pushtet duke ngrënë dhjamin e vet. S’mund të shkojmë në zgjedhje e të përsërisim të njëjtat gjëra sepse do shkojmë të humbim. As Partia Socialiste e as unë s’e mbajmë dot më këtë maskaradë e këto zullume që bëhen në zyrat e shtetit. S’keni ngritur asnjëherë asnjë shqetësim se si funksionojnë zyrat e shtetit. Ju interesoheni vetëm për drejtorët, kush shkon e vjen. Mbajeni mend, që do humbim pushtetin nëse vazhdojmë kështu. Ju mbajeni sa të doni se unë s’do pres fundin e as ju”, mësohet të jetë shprehur shefi i mazhorancës.

Kryeministri Rama sot te Kryesia e Kuvendit