Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka folur pas përfundimit të seancës plenare, për paraqitjen në Kuvend të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, vetëm për votimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar.
Teksa u pyet nga gazetari i Report Tv, Isa Myzyraj, se përse Balluku nuk merrte pjesë në seancat e tjera plenare, Balla tha se ajo gjendej aty në momentin e duhur.
Më tej Balla tha se Balluku është ndër deputetët më të mirë të Partisë Socialiste, përsa i përket prezencës në zonën e saj zgjedhore.
“Zoti Balla, për ta vijuar pyetjen e kolegës, realisht tani, se politikisht unë e kuptoj, por realisht flasim edhe për qytetarët, çfarë vlere ka për Partinë Socialiste "Agjenda 2030" me një deputete e cila ka muaj që nuk paraqitet në asnjë punim të seancës parlamentare?”, pyeti gazetari i Report Tv, Isa Myzyraj, kreun e Grupit të PS, Taulant Ballën.
“Grupi Parlamentar i PS përbëhet nga 82 anëtarë dhe të gjithë janë gjithmonë aty për të votuar dhe për të mbështetur këto reforma, sepse kontrata e PS është kontratë me Shqipërinë. Ishte para 2 javësh. Në mes të ditës, në orën e përcaktuar, gjithmonë aty. Sa i përket prezencës në zonën zgjedhore është ndër deputetet më të mira të PS-së. Nesër ora 17:00 prania besnike në Fier, mund të shkosh aty e ta shikosh”, u përgjigj Balla.
Balla foli edhe për paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2027. Ai tha se buxheti prej 10 miliardë eurosh për vitin 2027 do të jetë më i larti që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, siç sipas tij i ka ‘hije’ vendit tonë.
Duke folur për paketën fiskale, Balla tha se ulja në 6% e TVSH-së për ushqimet dhe heqja e taksës së qarkullimit nga karburantet, është një lajm i mirë për qytetarët shqiptarë. Ai i kërkoi opozitës që të bëhet pjesë ne votimit të buxhetit dhe paketës fiskale 2027 në Kuvend.
“Sot janë miratuar 9 ligje që lidhen me agjendën tonë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Mesazhi është i qartë. Përtej bilbilave e dhunës, agjenda europiane e Shqipërisë nuk ndërpritet. Shqiptarët sot kanë marrë lajmin e mirë se kemi buxhetin e parë prej 10 miliardë eurosh si shtet. Një buxhet siç i ka hije vendit tonë. Edhe paketa fiskale, që lidhet me uljen e TVSH-së për ushqimet në 6%. Heqja e taksës së qarkullimit nga karburantet është një lajm i mirë. Edhe opozita duhet të marrë pjesë në Kuvend për të votuar për këto çështje. Duhet të votojë rritjen e pensioneve”, tha mes të tjerash Balla.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ Mes kaosit e flakadanëve miratohet me 84 vota pr.ligji për Bankën e Shqipërisë, përjashtohen 4 deputetë të PD! Berisha thirrje për dhunë, i hiqet e drejta e fjalës




