Partia Demokratike u skandalizua prej listës së zezë të zyrtarëve, publikuar sot nga kryeministri Edi Rama, pas 3.000 denoncimeve të mbledhura online në pak ditë.

Sipas PD-së, “Në shkelje të Kushtetutës, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut; çdo parimi e norme për qeverisjen e mirë, publikimi i ‘listës së fajtorëve’ dhe ‘varja në publik’, që Rama ka bërë me emra konkretë për disa punonjës të administratës publike në disa nivele, pa asnjë provë, pa fakte, pa hetim administrativ, pa vendim gjyqësor, është totalitarizëm i plotë”.
 
 Në të vërtetë, ka vite që Sali Berisha bën publike emra zyrtarësh, por edhe qytetarësh të thjeshtë, duke i akuzuar për krimet më të tmerrshme “pa asnjë provë, pa fakte, pa hetim administrativ, pa vendim gjyqësor”. Në realitet, kuptohet që reagimi i Partisë Demokratike shkaktohet vetem nga një ''xhelozi'' e pastër politike: pasi i vodhi në fushatë elektorale simbolin e dy gishtave, Edi Rama kërcënon t’i heqë PD-së edhe monopolin e qytetarit dixhital.
 
Një ekskluzivitet ky, të cilin kryeministri në të vërtetë do të bënte mirë t’ia linte vulgaritetit politik, që është cilësi e Sali Berishës, pasi, në një demokraci moderne, të cilën Edi Rama synon të ndërtojë, nuk ka vend për lista të zeza publike dhe aq më pak për procese nëpër sheshe. “Qytetari dixhital” shpesh herë ka gënjyer kur i ka shkruar Berishës duke ushqyer ''kazanin mediatik'' dhe nuk kuptohet pse, në të kundërt, do të thoshte të vërtetën kur fillon t’i shkruajë Edi Ramës.  


dy.b/shqiptarja.com