Ukraina dhe Moldavia kanë edhe shumë punë përpara. Pas vendimit të Komisionit Evropian për t’i propozuar Bashkimit Evropian që t’ua japë statusin e kandidatit këtyre dy vendeve, tani pritet të japë pëlqimin secili prej 27 shteteve anëtare.
Ukraina ka aplikuar për anëtarësim në BE më 28 shkurt, katër ditë pas nisjes së pushtimit rus në këtë shtet, në lindje të Evropës. Moldavia dhe Gjeorgjia kanë vepruar njëjtë më 3 mars të këtij viti.
Gjeorgjia nuk ka marrë dritën e gjelbër nga Komisioni Evropian, me arsyetimin se aplikacioni i saj do të rishqyrtohet.
Megjithatë, historia e zgjerimit të bllokut evropian, sidomos në rastin e Turqisë, ka treguar se statusi i kandidatit nuk nënkupton asgjë për pritjen që duhet ta kalojë një shtet derisa të anëtarësohet.
Kosova dhe Bosnje-Hercegovina mbesin mbrapa Moldavisë dhe Ukrainës?
Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë deklaruar se anëtarësimi në BE është synimi i tyre strategjik dhe të gjitha janë në faza të ndryshme të procesit të integrimit. Në të njëjtën kohë, të dyja shtetet – Ukraina dhe Moldavia - do ta kalojnë Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën në procesin e integrimeve, ndonëse këto të fundit janë duke pritur në radhë me vite.
Si Kosova, ashtu edhe Bosnje-Hercegovina kanë statusin e kandidatit potencial, që nënkupton se atyre u është premtuar mundësia për anëtarësim “kur të jenë gati’. Mirëpo duhet pasur parasysh se pas pushtimit rus në Ukrainë, Bosnje-Hercegovina dhe Moldavia, e kanë gjetur veten në të njëjtën shportë. Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, bashkë me Gjeorgjinë, i ka përshkruar të tria vendet si shtete ku Rusia mund të provokojë situata destabilizuese.
Teksa ka bërë të ditur vendimin për kandidatura, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka theksuar “reformat vendimtare” të kryera nga Moldavia, sidomos në luftën kundër korrupsionit.
Çfarë pritet në rastin e Bosnje-Hercegovinës?
Për dallim nga Ukraina dhe Moldavia, Bosnje-Hercegovina nuk ka rekomandim për t’u bërë shtet kandidat për anëtarësim të plotë në BE. I pyetur për mundësinë e dhënies së statusit kandidat për Bosnjën, Komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka rikujtuar se ky shtet duhet të plotësojë 14 kushte para nisjes së negociatave për anëtarësim.
“Bosnja e ka rrugën e vet dhe kushtet që vlejnë për të. Bosnja duhet të plotësojë 14 kritere… ne ende jemi duke pritur që kjo të ndodhë. Nëse rinegociojmë kushtet, kjo do të nënkuptonte edhe shkurtim të procesit, dhe ne nuk veprojmë kështu”.
Në mesin e 14 kritereve që ka përpara Bosnja, është ajo e ndryshimeve të kushtetutës së shtetit, andaj edhe përbën sfidë të posaçme. Tri grupet etnike, boshnjakët, kroatët dhe serbët, janë duke dështuar të gjejnë marrëveshje që do të shfuqizonte të drejtat e tyre ekskluzive në zgjedhje ose emërime në ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor.
Deri më tani, Bosnja ka përmbushur plotësisht një prioritet, që ka të bëjë me funksionimin e Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit. Megjithatë, ditëve të fundit janë dëgjuar sërish zëra që mbështesin rrugën e Bosnjës drejt bllokut evropian. Një prej mesazheve që ka dalë nga Forumi i Prespës, i cili është mbajtur në Maqedoninë e Veriut nga 16 deri më 18 qershor, është se Bosnje-Hercegovina duhet të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, sa më shpejt që është e mundur.
“Propozoj paketë të re, që Bosnje-Hercegovina të marrë statusin e kandidatit menjëherë, pa kushte shtesë”, ka thënë presidenti slloven, Borut Pahor.
Hapat e ngadalshëm drejt BE-së
Marrëdhëniet bilaterale në mes të Bosnje-Hercegovinës dhe BE-së janë zhvilluar për më shumë se 25 vjet dhe gjithçka ka nisur më 1997, kur Bosnjës i është dhënë mundësia të përdorë të ashtuquajturat preferenca tregtare autonome. Negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në mes të Bosnjës dhe BE-së, kanë nisur më 2005. Dokumentet janë nënshkruar tre vjet më vonë dhe kanë hyrë në fuqi më 2015. Në muajin dhjetor të vitit 2010, Bosnja ka hyrë në regjimin e lëvizjes së lirë brenda BE-së.
Më 2016, Bosnja ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në BE. Në fund të atij viti, Bosnja ka pranuar dokumentet, përmes së cilave blloku evropian vlerëson gatishmërinë e një shteti për të nisur procesin e anëtarësimit. Më 2019, Komisioni Evropian ka dhënë opinionin e tij për këtë kërkesë, duke thënë se Bosnje-Hercegovina duhet të përmbushë 14 kritere, në mënyrë që të fitojë statusin e kandidatit. Ukraina dhe Moldavia do të përmbushin këto kritere më vonë, në rast se e marrin statusin.
Ku është Kosova në këtë proces?
Kosova ka statusin e kandidatit potencial. Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do të aplikojë për anëtarësim të plotë në BE, gjatë këtij viti. Megjithatë, Kosova nuk njihet si shtet nga pesë vende anëtare – Greqia, Rumania, Qiproja, Spanja dhe Sllovakia, dhe vendimi kërkon pajtueshmërinë e të gjitha vendeve anëtare.
Më 2012, Komisioni Evropian ka nisur dialogun me Kosovën për liberalizimin e vizave. Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Çështje të Jashtme, Federica Mogherini, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit më 2015. Më 2016, Kosova ka përmbushur të gjitha 95 kriteret e vendosura nga blloku evropian për liberalizim vizash. Komisioni Evropian u ka rekomanduar vendeve anëtare që të miratojnë liberalizimin e vizave për Kosovën më 2018. Megjithatë, disa vende anëtare janë duke parandaluar këtë gjë. Në mesin e tyre, Franca është më e zëshmja.
Kush ka aktualisht statusin e kandidatit?
Aktualisht, pesë shtete kanë statusin e kandidatit: Turqia prej vitit 1999, Maqedonia e Veriut prej vitit 2005, Mali i Zi prej vitit 2010, Serbia prej vitit 2012 dhe Shqipëria nga viti 2014. Nëse marrin statusin e kandidatit, Ukraina dhe Moldavia do t’i afrohen pozicionit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por me një dallim – Komisioni Evropian veçse ka rekomanduar nisjen e negociatave për anëtarësim me Shkupin dhe Tiranën.
Turqia, rekordere në pritje para derës së BE-së
Turqia është duke trokitur para portave të BE-së më së gjati. Ky shtet ka aplikuar për t’iu bashkuar atëbotë Komunitetit Ekonomik Evropian më 1987 dhe më 1999 është konsideruar e kualifikuar për t’iu bashkuar BE-së. Negociatat e anëtarësimit kanë nisur më 2005, mirëpo vetëm një prej 30 kapitujve është përfunduar deri më tani. Shumë prej kapitujve kanë veto, sepse Turqia nuk njeh Republikën e Qipros, vend anëtar i BE-së. Turqia nuk ka hapur asnjë edhe një kapitull që pesë vjet, dhe Brukseli ka thënë se ekzistojnë një mori arsyesh pse negociatat janë bllokuar me Stambollin.
“Turqia është partnere strategjike e BE-së për çështje sikurse migrimi, siguria, ekonomia, luftimi kundër terrorizimit, mirëpo ka mbetur mbrapa në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore. Si përgjigje, në qershor të vitit 2018, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme ka shpallur bisedimet e pranimit me Turqinë si të ngrira në mënyrë efektive”, thuhet në faqen zyrtare të Komisionit Evropian./REL
Ballkani Perendimor,eshte gozhda e Nastradinit qe do i mbetet BE ne dere,sa kohe ato nuk do te kuptojne rendesine gjeostrategjike te Ballkanit Perendimor,sepse atij i shtojne kushte e ndrysho procedura sa here j’u teket,ndersa Bullgaria e Rumania dhe tani Ukraina ( qe pretendohet te cel negociatat)u futen dhe po futen ne BE vetem per rendesine gjeostrategjike te tyre.Pra nuk paskan rendesi procedurat,apo kushtet qe shtrihen ne kohe dhe qe Ballkani Perendimor ( Shqiperia)me vite po e kalojne me shume kosto te brendshme. I bie qe Ballkani Perendimor ,do te pranohet ne BE,nese ndiqet llogjika e Ukraines,qe i bie vetem nese vendet e tyre do te shkaterroheshin nga ndonje lufte.Kjo do te ishte nje katastrofe dhe e pafalshme per BE,qe t’a mendosh ,jo me qe te kete rene deri ne ate nivel,sepse po tregon ne fakt mefshtesi dhe paaftesi kohezioni ne qendrimet e saj. Be-ja,ka humbur kthjelltesine me kohe,por sot nga lufta,gjoja si më solidare,duhej te reagonte,duke korigjuar te kaluaren apo dhe qendrimet dualiste ne kohe paqe ( te zgjerimit te saj),por qe nuk ka ndryshuar,perkundrazi eshte me e dobet dhe me e pasigurte dhe kjo shihet nga mungesa e thelle e largmaesise se saj,pra edhe te vet te ardhmes se saj,e cila me keto qendrime do te bej qe BE do t’i largohet shume qellimit final te saj,pra bashkimit te saj,qe tek e fundit eshte dhe rezultati pozitiv i armiqeve te saj,te cilet ajo i sheh,por “betohet” se akoma nuk i ka pare.
PërgjigjuPrit gomar te mbije bar i thone , duhet te perqendrohemi te vendi jone dhe te fqinjesia e mire sepse k*rva plak nuk ka per ti hapur kurre dyert per vendet e Ballkanit !
Përgjigju