Shqipëria është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Pse thuhet se qeveria Berisha i ngriu marrëdhëniet me të?
Kur thuhet kjo, merret parasysh fakti që, me vendim të vetë kryeministrit Sali Berisha, nuk u rinovua më tej një marrëveshje tripalëshe që lidhte FMN, qeveria dhe Banka e Shqipërisë. Pas kësaj, Fondi nuk caktoi më një zyrtar të tij të përhershëm rezident në Tiranë.
 
Pse u mor ky vendim?
Ripërtëritja e marrëveshjes nënkupton edhe diçka tjetër. Fondi Monetar Ndërkombëtar ndërhyn për të dhënë edhe kredi shumë të buta, me interes për vendin e caktuar, por nga ana tjetër monitoron nga afër situatën e financave publike. Madje, thuhet që ai këshillon, por mund të thuhet edhe që vendos veton për disa politika fiskale të caktuara, që mendon se do të kenë pasoja negative për vendin.
 
Kush mund të ishin këto?
Një nga këto ishte politika e marrjes masivisht të borxheve, jashtë e brenda vendit, nga ana e Ekzekutivit Berisha, për të realizuar projekte të kushtueshme infrastrukturore, por edhe për të blerë energji elektrike me çdo çmim. Berisha e kishte marrë mendimin negativ të FMN-së në këtë drejtim dhe vendosi të ecë përpara në këtë drejtim, pa marrë më miratim nga FMN-ja. Kjo të çon në një rrugë, që ndoqi edhe Greqia, e cila pësoi në një krizë të thellë, edhe pse situatën makroekonomike më parë e kishte shumë më të mirë se vendi ynë.