Publikohen të dhënat e censit në Kosovë! Numri i të regjistruarve rezulton 1 milion e 600 mijë banorë

Publikohen të dhënat e censit në Kosovë! Numri i të regjistruarve rezulton 1 milion e 600 mijë banorë

Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës publikoi të enjten rezultatet e përgjithshme të regjistrimit të popullsisë sipas të cilave Kosova aktualisht ka rreth një milionë e 600 mijë banorë, një rënie kjo krahasuar me regjistrimin e fundit të vitit 2011 kur ishin rreth 1 milionë e 740 mijë banorë.

“Pjesa dërrmuese e popullsisë në veri (të Kosovës) e bojkotoi regjistrimin për shkak të ndikimit politik të partive politike... Kemi bërë vlerësimin e popullsisë edhe për komunat në veri andaj zyrtarisht popullsia e Kosovës me 5 prill 2024 përfshirë edhe vlerësimin e popullsisë është 1 milionë 602 mijë e 515 banorë”, tha drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati.

Përveç tkurrjes së popullsisë, të dhënat e këtij viti flasin edhe për plakje të saj.

“Mosha deri 14 vjeç në vitin 2024 është zvogëluar. Grupmosha 15-64 ka një rritje prej 1.83 për qind, por është karakteristike kjo grupmosha mbi 65 vjeç sepse ka impakt në politikat sociale dhe në kujdesin e kësaj grupmoshe. Kosova ka kaluar nga njëshifror në dyshifror për një periudhë 12 vjeçare e moshës mbi 65 vjeçare”, tha zoti Kastrati.

Sipas të dhënave të regjistrimit, struktura etnike në Kosovë mbetet e pandryshuar.

“Shqiptarë 91.76 për qind, serbë 2.31 për qind, boshnjak 1.69 për qind, turqi 1.22 për qind, romët 0.55 për qind, ashkalinj 1.02 për qind, egjiptian 0.67 për qind, goran 0.58 për qind, të tjerë 0.13 janë deklaruar personat që nuk i përkasin këtij grupi etnik”, tha zoti Kastrati.

Sipas të dhënave të regjistrimit tashmë 50 për qind e banorëve të Kosovës jetojnë në qytete, një rritje prej 12.2 për qind. Po ashtu dendësia e popullsisë ka ndryshuar për shkak të uljes së numrit të banorëve, nga rreth 160 banorë sa ka qenë në vitin 2021, tani është rreth 147 banorë në një kilometër katrorë.

Gjatë periudhës 13 vjeçare në mes të dy regjistrimeve të popullsisë ka një rritje prej 21.5 për qind të ndërtesave, banesave dhe shtëpive të reja. 93 për qind e banesave e shtëpive në Kosovë janë me pronarë, pjesa tjetër me qira dhe forma tjera të shfrytëzimit.

Sipas regjistrimit, numri i ekonomive familjare në Kosovë është rritur me rreth 23 për qind krahasuar me vitin 2011 ndërsa hendeku gjinor është zvogëluar për 11 mijë e 975 banorë krahasuar me vitin 2011.

“Përderisa në vitin 2011 meshkujt përfaqësonin rreth 50.3 për qind, në vitin 2024 meshkujt janë 50.2 për qind. Pra hendeku gjinor sa i përket popullsisë rezidente në Kosovë është zvogëluar. Ka disa faktorë që ndikojnë në këtë raport por sidomos është faktori i migracionit. Sepse në aspektin natyror, më shumë lindin meshkuj se femra dhe për shkak të migracionit është zvogëluar ky hendek gjinor”, tha drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati.

Regjistrimi i sivjetmë nuk shënoi ndonjë ndryshim të madh në përkatësinë fetare. Sipas të dhënave “93.49 për qind janë të besimit islam, ortodoksë 2.31, katolikë 1.75 për qind, të tjerë 0.45 për qind, asnjë besim 0.50 për qind dhe pa përgjigje 1.50 për qind”.

Në regjistrim janë përfshirë edhe dëmet e shkaktuara nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë. Sipas të dhënave, rreth 154 mijë familje kanë theksuar se janë prekur nga dëmet e luftës dhe se dëmet vetëm në ekonomitë familjare janë vlerësuar në mbi 5 miliardë euro./VOA

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Mbledhja e dy Kuvendeve në Prishtinë, Rama i çon letër Kurtit

VIDEO/ Mbledhja e dy Kuvendeve në Prishtinë, Rama i çon letër Kurtit