Publikohet emri dhe fotoja e spiunit kinez me të cilin dyshohet se ka bashkëpunuar Princi Andrew

Publikohet emri dhe fotoja e spiunit kinez me të cilin dyshohet se ka bashkëpunuar Princi Andrew

Princin Andrew

Agjenti i dyshuar kinez i lidhur me Princin Andreë është identifikuar publikisht si Tengbo Yang, pasi një gjyqtar rrëzoi urdhrin për mbajtjen të fshehtë të identitetit të tij. 

Shtetasi kinez 50-vjeçar është ndaluar të hyjë në Britani për arsye sigurie kombëtare që nga marsi i vitit 2023. MI5 ka pretenduar se Yang — i cili ka këshilluar kompani britanike si GSK dhe McLaren — ka punuar për një grup që mbledh inteligjencë në emër të shtetit kinez.

Tengbo Yang

Yang kishte kundërshtuar ndalimin e vendosur nga Ministria e Brendshme të Britanisë, por ankesa e tij u refuzua javën e kaluar nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit për Imigracion, dhe të hënën ai kritikoi trajtimin e tij.

“Përshkrimi i gjerë ndaj meje si një ‘spiun’ është plotësisht i pavërtetë,” tha ai. “Klima politike ka ndryshuar dhe, për fat të keq, unë kam rënë viktimë e kësaj. Kur marrëdhëniet janë të mira dhe investimet kineze janë të mirëpritura, unë pritem mirë në Mbretërinë e Bashkuar. Kur marrëdhëniet përkeqësohen, merret një qëndrim kundër Kinës dhe unë përjashtohem.”

Yang kishte krijuar lidhje biznesi me Princin Andreë dhe kishte akses në një rrjet figurash të tjera të larta politike dhe biznesi në Britani, kryesisht përmes kompanisë së tij Hampton Group International, e cila deklaron se fokusohet në “investimin, konsulencën dhe mundësimin e bashkëpunimeve midis Kinës, Mbretërisë së Bashkuar dhe pjesës tjetër të botës”.

Vendimi i komisionit gjeti se Yang “ishte në një pozicion për të krijuar marrëdhënie me figura të rëndësishme në Mbretërinë e Bashkuar dhe zyrtarë të lartë kinezë, që mund të shfrytëzoheshin për qëllime ndërhyrjeje politike nga PKK [Partia Komuniste Kineze] … ose nga shteti kinez”.

MI5 pretendoi se Yang ishte anëtar i Partisë Komuniste Kineze që punonte për Departamentin e Frontit të Bashkuar, një njësi që mbledh inteligjencë.

Gjyqtarët gjetën se “nuk kishte një sasi të madhe provash për lidhjet me Departamentin e Frontit të Bashkuar”, por kishte një mospërputhje midis disa provave dhe pretendimeve të Yang-it se ai “nuk kishte lidhje me ndonjë person në politikën kineze”.

Yang më parë kishte punuar me kompaninë farmaceutike britanike GSK për të menaxhuar pasojat e një skandali ryshfeti në Kinë, sipas burimeve të njohura me çështjen.

GSK nuk pranoi të komentojë.

Grupi farmaceutik ishte prezantuar me Yang nga Sir Ron Dennis, ish-shefi ekzekutiv i McLaren, tha një prej burimeve. Dennis nuk pranoi të komentojë. McLaren nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Yang është takuar dhe është fotografuar me dy ish-kryeministra konservatorë: Lord David Cameron dhe Baroness Theresa May. Nuk është e qartë se kur kanë ndodhur këto takime dhe nuk ka asnjë sugjerim se ndonjë prej politikanëve e njihte Yang-in personalisht.

Urdhri i anonimatit u rishikua gjatë një seance në Gjykatën Mbretërore të Drejtësisë të hënën, përpara se deputetët të kërcënonin të përdornin privilegjin parlamentar për të identifikuar individin në Dhomën e Komunave.

Sir Lindsay Hoyle, Kryetari i Dhomës së Komunave, ka miratuar një pyetje urgjente të hënën pasdite, të paraqitur nga Sir Iain Duncan Smith, një kritik i njohur i Kinës në Partinë Konservatore.

Yang, i njohur më parë vetëm si H6 në dokumentet gjyqësore, ishte emëruar tashmë në rrjetet sociale dhe në disa media ndërkombëtare. Të hënën, ai deklaroi se kishte kërkuar nga ekipi i tij ligjor të publikonte identitetin e tij për shkak të “nivelit të lartë të spekulimeve dhe raportimeve të pasakta në media dhe gjetkë”.

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Emërohen 48 shefat e Komisariateve në 12 drejtoritë e qarqeve! Lista me EMRAT dhe qytetet

Emërohen 48 shefat e Komisariateve në 12 drejtoritë e qarqeve! Lista me EMRAT dhe qytetet