Misioni për hapjen e vendeve të punës ka nisur të jetësohet. Ministrat në largim po angazhohen maksimalisht që ta punësojnë secilin militant partiak që u kalon skaj dyerve të institucioneve.

Madje këto ditë kur nuk po dihet se kush do të jetë mandatari për formimin e Qeverisë së re, disa ministra janë zhvendosur me zyra te porta hyrëse e institucioneve që i drejtojnë, për t’i dërguar sa më shpejt bashkëpartiakët dhe akrabatë nëpër vendet e reja të punës.

Në muajt e fundit, para nisjes së fushatës dhe pas mbajtjes së zgjedhjeve të 8 qershorit, drejtuesit e institucioneve qendrore nuk po ndalen së shpalluri konkurse për vende të reja të punës në administratë, ku po sistemohen militantët politikë me “aksham pazar”, si duket e kanë kuptuar tashmë se sa të pasigurt e kanë ardhmërinë në Qeverinë e re.

Këto punësime nuk po bëhen pse shumë pozita të rëndësishme shtetërore kanë mbetur vakante, në një administratë, edhe ashtu të mbingarkuar me shërbyes civilë, por se duke premtuar vende të reja pune kanë marrë vota në zgjedhjet e fundit lokale e qendrore. E normalisht, votat në Kosovë konvertohen në para, pra në vende pune.

Po ashtu këta të punësuar pa kurrfarë kriteri do të mundë të përdoren politikisht gjatë muajve në vijim, nëse rastësisht ndonjë ministër i ardhshëm do të tentojë t’i largojë nga puna.

Edhe ashtu liderët politikë të Kosovës në fushatën e fundit premtuan qindra-mijëra vende të reja të punës gjatë katër vjetëve të ardhshëm. Mirëpo këto vende pune do të duhej të krijohen në sektorin privat, duke joshur investimet e huaja, duke stimuluar prodhimin vendor, e jo duke e mbipopulluar administratën publike që paguhet me paratë e taksapaguesve.

Administrata nuk ka nevojë të ngarkohet edhe më shumë me shërbyes të rinj civilë, por do të duhej të reformohet, duke i dhënë hapësirë profesionalizmit të shërbyesve civilë.

Duke pasur një administratë gjigante, shumë më të madhe se sa shtetet tjera me numër të njëjtë të banorëve me Kosovën, tashmë me rritjet e fundit të pagave, gati gjysma e buxhetit të shtetit shpenzohet vetëm për pagesat e zyrtarëve shtetërorë.
Me shpenzimin e gjysmës së buxhetit të shtetit në kategorinë e pagave dhe mëditjeve, shumë pak mjete mbeten në dispozicion për kategoritë tjera buxhetore.

Shumë pacientë do të vazhdojnë t’i blejnë ilaçet edhe në të ardhmen, pasi që buxheti për shëndetësinë do të vazhdojë të mbetet më i ulëti në rajon. Gjithashtu edhe shumë fëmijë me kancer do të mundë të vdesin për shkak të terapisë së shtrenjtë, pasi që pesë milionët e ndara nga Qeveria janë të pamjaftueshme, krahas kërkesave të shumta për shërime jashtë vendit.

Shumë kosovarë, normalisht ata që nuk i takojnë ndonjë subjekti politik dhe që nuk kanë ndonjë të afërm në krye të institucioneve, do të dalin në pension duke mos arritur të gjejnë vend pune, ndonëse janë gënjyer vazhdimisht nga politikanët se vendi do të shndërrohet në “baushtell” të Ballkanit.

Si zakonisht, edhe në të ardhmen punë do të ketë vetëm për familjarët e shefave të politikës, njësoj si në aferën “Pronto”, e të tjerët do të mundë të gjejnë punë vetëm nëse emigrojnë.