TIRANE - Fillon bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë shqiptare të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Ministrisë italiane të Punës dhe të Politikave Sociale, në fushën e imigracionit dhe të punës. Ky bashkëpunim ka nisur me zbatimin e një projekti pilot, i cili u drejtohet 255 shtetasve shqiptarë, e që parashikon kurse falas për formimin gjuhësor dhe profesional, që kanë si qëllim punësimin në Itali të të paktën 50% të pjesëmarrësve, në sektorë të ndryshëm.

Kjo nismë u bë e njohur sot gjatë një Konference për Shtyp të mbajtur në Ministrinë e Punës, në të cilën morën pjesë ministri Spiro Ksera, Drejtori i Përgjithshëm i imigracionit i Ministrisë italiane të Punës dhe të Politikave Sociale, Natale Forlani, si dhe Ambasadori i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani.

Gjatë Konferencës u shpall fillimi i procedurave të regjistrimit për të gjithë shtetasit shqiptarë që duan të kandidojnë për të pasur mundësinë për të punuar në mënyrë të rregullt në Itali. Të interesuarit do të mund t’i drejtohen Sporteleve të Migracionit pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit (Zyrave të Punës) në qendrat e banimit, për të paraqitur kandidaturën e tyre sipas modaliteteve të parashikuara dhe për të regjistruar profilin e tyre në listat e disponueshmërisë. Informacioni mbi procesin e regjistrimit gjendet në faqen e internetit www.mpcs.gov.al (tek menu MIGRACIONI, ku do të interesuarit mund të shkarkojnë edhe formularin e aplikimit).

Regjistrimi pranë Sporteleve të Migracionit, në Zyrat e Punës së Tiranës, Durrësit, Fierit, Vlorës, Beratit, Gjirokastrës, Elbasanit, Korçës, Lezhës, Shkodrës, Kukësit dhe Peshkopisë do të kryhet nga data 27 mars deri në 10 prill 2012.

(im/shqiptarja.com)