Që herët në mëngjes Report Tv ishte pranë godinës  ku studentët e degës “Mjekësi e Përgjithshme” zhvillojnë leksione.

“Sot vendosa të jem  një prej studentëve të degës “Mjekësi e Përgjithshme”. Erdha në auditorët e tyre, por ato gjeta bosh.”

Bojkoti sipas studentëve do vazhdojë  deri sa qeveria të tërhiqet nga ligji i miratuar që i detyron ata të punojnë 2 deri në 5 vite  në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve duke u mbajtur peng diplomat.

“Me ndihmën e disa studentëve të Mjekësisë Report Tv siguroi oraret mësimore të tyre. Auditor më auditor u futëm , por ato ishin të boshatisura.

Kur kanë kaluar një javë bojkoti  dhe ende nuk ka asnjë reagim nga institucionet shtetërore bojkoti i tyre është shoqëruar me një protestë. Protestës i janë bashkuar dhe studentët e vitit të parë.

“Ne nuk do të ndalemi deri në arritjen e qëllimit tonë. Ligji do rrëzohet. Kushtet do përmirësohen dhe pastaj do ketë qejf secili nga ne jo të punoj 5 vite në Shqipëri, por gjithë jetën.”

“Dhe ne si viti i parë i jemi bashkuar kësaj proteste, këtij bojkoti në mënyrë totale.”

Gjatë protestës një studente u përlot kur po fliste për vështirësitë e studimeve.

“Sa keni futur këmbët dhe nuk e dini se çfarë kemi përjetuar ne në këto gjashtë vite.”

Të hënën është paralajmëruar një protestë e përmasave më të mëdha e cila do të organizohet në formën e një marshimi drejt Ministrisë së Arsimit.