Punësimi i të rinjve ka qenë tema kryesore e diskutuar sot në mbledhjen e grupit parlamentar të LSI. Në fund të mbledhjes, deputeti Edmond Panariti ka deklaruar se LSI do të ketë një strategji konkrete për punësimin e të rinjve dhe intelektualëve të vendit, duke ndaluar largimin e tyre nga Shqipëria.
Ish-ministri tha se duhet të ndryshojë urgjentisht strategjia dhe qasja e intelektualëve dhe të rinjve, studentëve, që kanë investuar për vendin që të mos e lënë atë, por të kenë një perspektivë të qartë këtu.
“Shqipëria shterret nga burimet e saj njerëzore, ata që do ishin promotorët e zhvillimit të vendit, nuk janë më dhe kjo është përgjegjësi e qeverisë. Kërkohet urgjentisht ndryshimi i strategjive dhe qasjeve që intelektualët, studentët, që kanë investuar për vendit të mos e lënë atë, por të kenë një perspektivë të qartë brenda vendit, por kjo mungon. LSI do ta bëjë të qartë strategjinë e hapjes së vendeve të reja të punës, ofrimin e një strategjie për të rinjtë e të rejat që duhet të kontribuojnë për vendin. Natyrisht me vende konkrete pune dhe jo me kioska”, tha Panariti.
d.c./shqiptarja.com
Komente










