Punësimi në Gjermani, konferencë informuese për mjekët dhe infermierët


TIRANË, 29  Tetor/ATSH/-  Kërkesat në rritje për punësimin  e infermierëve, por edhe pagat e kushtet e punës që ofron shteti gjerman, kanë bërë që shumë të rinjë të jenë të pranishëm në konferencën e katërt të Institutit të Gjuhëve të Huaja "Glourios Skills" për t'u informuar mbi rrugën që duhet të ndjekin për t'u specializuar dhe punësuar në spitalet gjermane.
Thomas Dannecker, Drejtori i Agjencisë Freiburger Arzte Cousulting, gjatë fjalës së tij u shpreh se 'ky është takimi i katërt informues pas takimit të parë të realizuar në muajin janar". "Ajo që vura re në takimin e parë ishte pjesëmarrja e gjerë. Që nga janari deri tani kanë ikur 25 mjekë e infermierë të cilët kanë filluar punë në Gjermani", tha ai.
Po ashtu, ai shpjegoi rrugën e aplikimit për t'u punësuar në spitalet gjermane. "Çelësi i çdo suksesi është gjuha. Edhe për t'u punësuar në Gjermani ju duhet të dini gjuhën gjermane në nivelin C1. Mësimi i gjuhës gjermane në këtë agjenci zgjat nga 6 deri në 12  muaj dhe më pas ju konsideroheni kandidatë për t'u intervistuar. Unë çdo aplikant e intervistoj personalisht për të parë se kush është gati për të punuar me standardet gjermane nëpër spitalet ku ka nevojë për mjekë dhe infermierë", tha ai.
Ndërkaq, Dannecker vuri në dukje edhe vështirësitë që mund të hasë çdo individ që shpallet fitues për në Gjermani, pasi puna në Gjermani sipas tij, ndryshon nga ato në Shqipëri, apo në vende të tjera që përfshihen në këto lloj punësimesh dhe specializimesh.
"Mjekëve dhe infermierëve në spitalet gjermane i duhet të punojnë më shumë sesa në Shqipëri. Puna fillon që në orën 7.00 të mëngjesit dhe vijon më pas me shumë ngarkesë dhe shpejtësi. Në Gjermani kolegët nuk shihen si konkurentë, por si anëtarë të një skuadre të cilët duhet të punojnë në grup për të kryer një punë të denjë. Në Shqipëri ke më shumë mundësi për të pirë kafe apo duhan dhe për të pasur kohë të lirë, ndërsa në spitalet gjermane çdo veprim është i planifikuar", nënvizoi ai.
Sakaq, ai foli për tre elemente të rëndësishëm për t'u punësuar në Gjermani, duke radhitur gjuhën gjermane në nivelin C1, punën në grup dhe kualifikimin e mirë mjekësor. Në lidhje me pagat, ai tha se janë paga që variojnë nga 4 mijë euro në muaj në fillim plus shërbimet e tjera.
Xhenisa Kapxhiu, Presidentja e Institutit të Gjuhëve të Huaja "Glorious Skills", gjatë fjalës së mbajtur tha se "për të gjithë ka një mundësi për të filluar një rrugë të re". "Ne jemi të përkushtuar ndaj studentëve tanë , jo vetëm në mësimin e gjuhëve të huaja në standarde europiane por edhe në ndërtimin e rrugëve të reja për ta. Në  këtë rrugëtim është mjaft i rëndësishëm mirëinformimi i të gjithë infermierëve, mjekëve dhe profesionistëve të cilët duan të punësohen jashtë vendit". /m.m/
 
 
 
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Morali fake i gazetarëve inkuizitorë që janë opozitarë në Tiranë dhe qeveritarë në Prishtinë