Punimet e dobëta të parketit
Vllaznia rrezikon humbjen në tavolinë

Punimet e dobëta të parketit<br />Vllaznia rrezikon humbjen në tavolinë
SHKODER- Alarm në Shkodër. Ndeshja e parë historike për Vllazninë në basketboll për meshkuj në ligën ballkanike përballë Mornar të Malit të Zi rrezikon të mos luhet. Tashmë parketi i ri i pallatit të sportit “Qazim Dervishi” ka kapriçot e veta duke qenë se aty punimet nuk janë kryer siç duhet. 30 apo 40 centimetër në një pjesë të tij parketi është fryrë në një gjatësi prej gati 1 metër. Punonjësit e pallatit të sportit janë detyruar që ta rrethojnë vendin ku parketi është fryrë në mënyrë që gjatë seancave stërvitore që janë zhvilluar gjatë ditës të sotme sportistët të mos ecin në atë pjesë dhe të pengohet rënia e topave.

E gjithë kjo situatë ka alarmuar drejtuesit e ekipit të Vllaznisë të cilët janë tejet të shqetësuar për fryrjen e parketit. Në pallatin e sportit menjëherë kanë mbërritur përfaqësuesit e firmës që kanë kryer punimet. Ata janë shprehur se do të bëjnë maksimumin për të ndërhyrë edhe njëherë por koha është shumë e shkurtër. Ditën e martë në ora 16:00 gjithçka duhet të jetë gati sepse në orën 18:00 nis ndeshja. Nëse brenda këtij afati gjithçka në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” nuk është gati atëherë ndeshja me Mornarin e Malit të Zi nuk luhet.

Pak ditë më parë pas problemeve të para me parketin e ri të pallatit të sportit u bë një ndërhyrje dhe me urdhër të drejtores së urbanistikës në Bashkinë Shkodër Aida Shllaku u bë mbyllja e pjesëve anësore me beton të cilat ishin lënë hapur për të dalë ajri. Duket se ai bllokim e ka vështirësuar situatën duke bërë që investimi prej 4.9 milionë lekësh të shkojë dëm të paktën për pjesën e parketit. Edhe pjesë të tjera të parketit në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” janë të gatshme për tu fryrë në të njëjtën mënyrë.

Nuk përjashtohet mundësia që kjo të ndodhë edhe gjatë momentit kur ndeshja Vllaznia – Mornar të jetë duke u luajtur. Prania e mbi 1200 tifozëve që priten të jenë në pallatin e sportit për të ndjekur ndeshjen Vllaznia – Mornar mund të krijojë problem sa i përket kondicionimit që mund të sjellë të tjera fryrje të parketit. Në rast se riparimi i parketit nuk përfundohet brenda orës 16:00 të së martes dhe ndeshja Vllaznia – Mornar nuk luhet atëherë kuqeblutë e humbin në tavolinë ndeshjen.

Vllaznia ka humbur edhe sfidën e parë në Kosovë me Sigal Prishtina dhe një humbje në tavolinë do ishte fatale duke bërë që Vllaznia ta ketë thuajse të pamundur kualifikimin. Edhe në rast se gjatë ndeshjes parketi shfaq problem sërish Vllaznia e humbet në tavolinë takimin përballë malazezëve të Mornar.
 
Shkrimi u publikua në "Shqiptarja.com" (Print) më 28.10.2014

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë