Një punonjës i Aeroportit të Frankfurtit ka humbur jetën pasi u infektua me malarie, në një rast të rrallë që ka prekur gjithsej gjashtë punonjës të aeroportit.
Sipas autoriteteve gjermane të shëndetit publik, dyshohet se mushkonjat që transmetuan sëmundjen janë transportuar me një fluturim deri në Frankfurt. Pesë punonjësit e tjerë të infektuar po marrin trajtim mjekësor.
"Fatkeqësisht, mund të konfirmojmë se një punonjës ka humbur jetën si pasojë e infeksionit", tha një zëdhënës i operatorit të aeroportit, Fraport, për BBC.
Kompania njoftoi se ka informuar të gjithë punonjësit për situatën dhe u ka bërë thirrje të kontaktojnë mjekun nëse shfaqin simptoma.
Rasti u bë i njohur fillimisht në korrik, kur u raportuan katër punonjës të infektuar. Instituti Robert Koch, agjencia federale gjermane për kontrollin e sëmundjeve, tha se ata u sëmurën mes 4 dhe 6 korrikut dhe se dyshohet që mushkonjat të jenë transportuar me avion.
Ndërkohë, në Aeroportin e Frankfurtit janë vendosur kurthe për kapjen e mushkonjave. Mostrat e mbledhura do të analizohen në laborator për të përcaktuar llojin dhe origjinën e tyre.
Instituti Robert Koch thekson se rastet e malaries në Gjermani prekin pothuajse gjithmonë persona që janë infektuar gjatë udhëtimeve në vende ku sëmundja është e përhapur. Transmetimi i sëmundjes brenda një aeroporti është shumë i rrallë.
Sipas institutit, mungesa e historikut të udhëtimit mund të vonojë diagnostikimin, duke rritur rrezikun që sëmundja të marrë një ecuri më të rëndë. Rasti i fundit i të ashtuquajturës "malarie aeroportuale" në Gjermani ishte regjistruar në vitin 2023, po në Aeroportin e Frankfurtit.
Malaria transmetohet nga pickimi i disa llojeve të mushkonjave dhe është më e përhapur në vendet tropikale. Sëmundja shkaktohet nga një parazit, nuk transmetohet nga njeriu te njeriu dhe është e parandalueshme e e trajtueshme, megjithëse në disa raste mund të jetë kërcënuese për jetën.








Komente
Komento