TIRANE- Punonjësit e larguar nga puna në administratë të cilët fitojnë gjyqet janë kthyer në një barrë të rëndë për arkën e shtetit. Gjatë vitit 2014 Qeverisë i është dashur të paguajë nga buxheti i shtetit rreth 20 milionë dollarë për ekzekutimin e vendimeve të gjykatave të cilat u kanë njohur të larguarve të drejtën e dëmshpërblimit, bashkë me vendime të tjera në favor të subjekteve privatë.

Gazeta “Shqiptarja.com” publikon sot emrat e 300 punonjësve të larguar nga puna të cilëve u është kaluar nëpër llogaritë bankare shuma e dëmshpërblimit që u është njohur nga gjykata. Pjesa dërrmuese e punonjësve të cilëve u janë ekzekutuar pagesat në bazë të vendimeve gjyqësore i përkasin vitit 2014, por nuk mungojnë ata që janë larguar nga puna nga qeveria e kaluar, madje disa pagesa shtrihen deri në vitin 2007.