Pushteti, Dija, Inteligjenca Artificiale dhe ChatGPT-ja në kontekstin shqiptar

Pushteti, Dija, Inteligjenca Artificiale dhe ChatGPT-ja në kontekstin shqiptar

Foto ilustruese

Kam lindur në vitin 1990, teksa mendjet utopike mendonin se ndryshimi do të vinte shpejtë, beftasi, duke ndryshuar së pari njerëzit, sistemin politik apo atë ekonomik, ndërsa realistët morën rrugët e u nisën pa kthim. Sot, jemi në vitet 2020, kur shumica e bashkëmoshatarëve të mi janë larguar e të tjerë largohen vazhdimisht. A është kjo fatkeqësi në jetën shoqërore, një dramë e krijuar me regjisorë të shumëfishtë ku secili ka përgjegjësinë e tij?  Llogjikisht, të votuarit do duhet të mbajnë një pjesë të konsiderueshme të përgjegjësisë publike. Largimi i të rinjve, është një “damkë” e rënë mbi kombin apo një shpërndarje normale, në kohë, e njerëzve në mjedisin e quajtur “Tokë”? Nuk marr dot përsipër të shpreh arsyet e të gjithë të larguarve, por mund të shtjelloj, sadopak, qasjen time mbi nevojën e përdorimit të gjykimit dhe mendimit kritik për kuptimin e arsyeve të një mpakjeje shoqërore, që fillon nga të rinjtë. Duke dashur të risjell në vëmendje nevojën kyçe për ecjen urgjente me hapat e revolucionit të teknologjisë, si mjet për shfrytëzimin e enegjisë dhe kapacitetit të të rinjve.

 E teksa shkruaj më vjen në mendje libri “Pushteti dhe Dija” i Michel Foucault [1]. Libër, që e kam shfletuar së pari në adoleshencë. Ndërsa autori, vazhdon të më frymëzojë edhe sot. Profesorët e filozofisë, në varësi të gjykimeve të tyre më të specializuara do të mund të kenë shumë për të më korrigjuar këtu, por për mua, Foucault, mbetet një ndër filozofët strukturalistë më elegantë të shek. të XX-të. Lidhja mes koncepteve pushtet dhe Dije, e shprehur në këtë shkrim, tenton të evokojë teorinë e Foucault, se Dija e zgjeruar do të ushtrojë po aq fuqi sa pushteti për të ndryshuar realitetet. Na duhet të krijojmë infrastrukturën për të shfrytëzuar kapacitetet njerëzore drejt arritjes së një gjendjeje ku Dija të jetë qendra e zhvillimit shoqëror dhe arsyeja e ndërtimit të politikave vizionare.

Një ndër format me anë të së cilës Dija po zhvillohet e aplikohet në shoqërine globale është Inteligjenca Artificiale (IA).

Autorët e shquar të IA-së Russell dhe Norvig[2], referojnë se Aristoteli (filozof grek) mund të ketë sjellë filizat e para të fushës së IA-së, në librin e tij mbi “Etika e Nikomakut”[3].  Dy mijëvjeçarë më pas, IA, po dominon ligjërimet në mjediset e biznesit, akademisë, shkencës, politikës globale, asaj të sigurisë, e jo vetëm. Nëse do të jepej një përkufizim rigoroz për IA-në, nuk mund të gjendet ende. Duke qenë fushë ndërdisiplinore, IA, po thith drejt vetes, çfarë mund të gjejë të izoluar, duke e integruar në boshtin e vet me force qendërsynuese. Përhapja e shkencës, orientimi drejt të Dhënave të Mëdha (Big Data), shkencëzimi i proceseve të punës, kudo qofshin këto, do të sjellë vetiu një qasje tjetër sa i takon përdorimit të mendimit shkencor në përditshmërinë e Qytetit. Mendohet se njeriu do të arrijë në atë fazë zhvillmi në afatgjatë, sa të mos ketë detyrim të punojë, por të ketë kohë mjaftueshëm të argëtohet, e kësisoj të mund të marrë vendime të peshuara mirë, të pandikuara nga aspekti ekonomiko-material, në masën që ndikohet sot. Por, ekziston edhe risku që njeriu të mund të kontrollohet lehtësisht nga një grup më i vogël njerëzish, të cilët Dijen do ta përdorin më gjerësisht si mjet për ushtrim pushteti.

Por, nëse kthehemi tek problem ynë lokal, pra, nëse  mund të ndalohet largimi i të rinjve në Shqipëri, duke përdorur IA-në? Qasja duket futuriste!! Parashikimet mbi ndikimin e IA-së në shoqëritë në zhvillim apo të pazhvilluara tregojnë se IA do të krijojë një hendek në afatshkurtër lidhur me treguesit e papunësisë. Si do të reflektohet ky revolucion në Shqipëri duke ditur edhe se, shoqëria jonë, e sapodalë nga sistemi komunist, zgjatoi pushtetin e dhunës, si “teknologji” të zhvillimit të shtetit dhe vetes? Foucalt e analizon tek libri “Pushteti dhe Dija” funksionimin e pushtetit, dhunën si mjet represiv, ushtruar nëpërmjet institucioneve ndëshkuese. Kjo dhunë sistemike, e trashëguar në çdo qelizë të shoqërisë, i dha pak ose aspak hapësirë mendimit objektiv, shkencor në shoqëri. Kështu, dhuna, pas rënies së sistemit komunist solli si rrjedhim, shtypjen e më të dobëtit, humbjen e përgjegjshmërisë qytetare, mosvlerësimin e kapitalit njerëzor. Shoqëria, u mpak, duke kërkuar fatin e saj jashtë kufijve. Dhuna mbolli dhunë, dhe u shpreh me ikje, largim, baltosje, shmangie. Dhuna rrënoi figurën e edukuesit, akademikut apo kërkuesit shkencor. I la ata të palidhur me shoqërinë, duke i “bullizuar” madje, me justifikimin se “ata” merren me teori dhe nuk njohin realitetin. Kjo “dhunë” shoqërore ndaj edukuesve, kërkuesve, mendimit shkencor në vetvete e largoi më tej shoqërinë nga shkenca, duke e afruar shumë më tepër me mitet. A mund të ndikojë IA kësisoj në orientimin e shoqërisë drejt Dijes?

Teksa Shqipëria zbrazet, ajo po bëhet shumë shpejt edhe pjesë e “kurthit” të IA-së, dashur pa dashur, sikurse shoqëria globale. Mendohet se IA mund të  njëjtësojë gjuhën e folur, të shkruar e atë shkencore. Këtu lindin shumë pyetje. Ndër të cilat përmendim atë se çfarë pasojash do të vijnë në vazhdim për elementët formues të një kombi apo shteti? Modelet e mëdha të gjuhëve (Large Language Models) po aplikohen duke u testuar e përmirësuar vazhdimisht. Shembull është ChatGPT (chatbot-i më i përfolur i momentit). Modelet si ChatGPT, në thelb relativizojnë detajet, duke shfaqur risqet e humbjes së karakteristikave identitare të subjekteve. Një shembull këtu, gjuha shqipe, apo edhe italiane. Fenomeni i gjobitjes për përdorimin e gjuhës jovendase në shkresat zyrtare (Itali) apo kufizimet ndaj depërtimit të teknologjisë, nuk mendoj se do e ndalin Dijen të depërtojë kudo e kurdo, me efektet e saj të forta, e mbase edhe të dhimbshme.

Historikisht, teknologjia e informacionit ka qenë vetëm mjet dhe njeriu e ka përdorur në bazë të nevojave të tij. Por, teknologjia e Dijes, cfarë roli do të ketë? Do të ushtrojë ajo një pushtet të një forme tjetër, për të cilën nuk jemi të përgatitur? Do të mund të largohemi dot fizikisht nga mjedisi Shqipëri, e pastajmë Tokë, kësisoj, nëse IA do të arrijë të na rrëmbejë burimet tona?  Ndërsa jemi në “hapësirën tonë gjeografike” Shqipëri (ndërsa IA e njeh vendin tone si efekt sinjalesh elektronike) kemi nevojë të kuptojmë se çdo fjalë e tepërt thënë vetëm për zhurmnajë politike ditore, e kthen pas vendin nën dritën e Dijes. A jemi gati të krijojmë legjislacion lidhur me IA-në, të integrojmë burimet tona, të krijojmë strategjitë afagjata, planet ekonomike të mbështetura mbi teknologjinë e Dijes, apo ende mendojmë se IA është shashkë konspirative e hedhur nga disa njerëz për të testuar botën?

Lex Fridman, kërkues i MIT (Massachusetts Institute of Technology, Universitet i mirënjohur amerikan) në një podcast[4] të tijin me Sam Altman (drejtuesi  i OpenaAI-kompani që zhvillon IA)[5] teksa shpjegonte risqet e IA-së, njëkohësisht reflektonte edhe krenarinë e racës njerëzore, e cila po tejkalon vetveten me ritme eksponenciale. Megjithatë, pionierë të tjerë të fushës, si Tegmark dhe Sutskever druajnë rreziqet e mundshme që IA e pakontrolluar mund të sjellë. Tegmark, madje, ishte ndër të parët që inicioi një letër të hapur duke iu kërkuar laboratorëve të AI ndalimin e trajnimit për 6 (gjashtë) muaj  të sistemeve AI më të fuqishme se GPT-4 (një model tejet i avancuar i AI). Letra e hapur, e firmosur edhe nga Elon Musk, Steve Wozniak bashkë me profesorë universitetesh, njerëz të biznesit e medias, arsyeton se sistemet e fuqishme të AI duhet të zhvillohen vetëm pasi të kemi besim se efektet e tyre do të jenë pozitive dhe rreziqet e tyre do të jenë të menaxhueshme. Unë tashmë e firmosa letrën e hapur në linkun më poshtë. [6].

Në cilën fazë të trajtimit të çështjes së aplikimit të AI është Shqipëria? Sa ndikon mosvëmendja jonë shoqërore ndaj këtij revolucioni? A duhet të injorojmë sërish ‘thirrjen’ e Dijes, apo do mbetemi në silogjizmat e slloganet e konsumit ditor aprofesional që nuk stimulojnë mendimin kritik, por vetëm largimin, qoftë edhe si efekt të turmës?

U përpoqa të ngre disa pyetje lidhur me qasjen tonë ndaj Dijes dhe përpjekjet që duhet të bëjmë për të mbajtur gjallë shoqërinë. Por, kush e di, nëse IA, me ritmin e pareshtur do të ketë ide më të mira? Pyesni ChatGPT!! Kush e di, nëse në të ardhmen, ne do jemi vetëm njësi, objekt i veprimit të IA-së?

Sido që të jenë përgjigjet, politika (si shprehje e vullnetit tonë) duhet të rrezatojë vizionin për përparimin e shoqërisë (sonë), mbështetur në teknologjinë e Dijes dhe në mendjet më të vyera akademike-shkencore, vendase/të huaja, duke respektuar parimet e lirisë dhe të mendimit ndryshe. Vetëm Dija, shkenca, të kultivuara nëpërmjet edukimit e të udhëhequra nga vullnete të qëndrueshme politike, të mirëfinancuara dhe pararojë e çdo politike tjetër zhvillimi, mund të “rrezatojnë” energjinë e përbashkët drejt prosperitetit. Koha është VETËM tani!

Referencat

1. Michel Foucault (Ribotim i 2009) “Pushteti dhe Dija”.

2. Russell and Norvig (Ribotim 2022, ed 4.) “Inteligjenca Artificiale : Një qasje moderne”

3. Aristoteli. (Ribotim viti 2011) “Etika e Nikomakut”.

4. Lex Fridman #367 Podcast me Sam Altman. Link: https://www.youtube.com/watch?v=L_Guz73e6fw

5. OpenAI-ChatGPT. Link: https://chat.openai.com/chat

6. Letër e hapur: Ndaloni eksperimentet e fuqishme me IA-në. Link: https://futureoflife.org/open-letter/pause-giant-ai-experiments/

Denisa Millo (1990) ka përfunduar studimet e larta për Informatikë-Ekonomike dhe Kërkime Operacionale. Pas përfundimit të studimeve iu bashkua botës akademike si pedagoge dhe kërkuese në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Ekonomisë, pranë Departamentit të Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar. Ajo është alumni e Konrad-Adenauer-Stiftung me qendër në Berlin. Puna e saj aktuale e doktoraturës është e fokusuar në ndikimet e aspekteve të teknologjisë së inteligjencës artificiale në disa fusha specifike të ekonomisë. Ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë trajnime dhe shkolla afatshkurtra ndërkombëtare në fushën e sipërpërmendur (IA). Njeh dhe programon në disa gjuhë programimi dhe njëkohësisht mban liçensën Kontabël i Miratuar.  Kontakt: [email protected]          

/xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vera: 25/04/2023 01:26

    Mire e ka shkruar kjo artikullin. Sa per zhvillimin teknologjik dhe aplikimet e IA, ne nuk kemi nevoje per rregulla, vizione apo strategji ne "dobi" te shoqerise. Ne kemi Edi Ramen dhe vete IA perkulet para tij!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi