Rusia ka ftuar politikanë të partisë së ekstremit të djathtë gjerman AfD në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, një aktivitet i njohur shpesh si “Davosi i Putinit”.

Sipas Politico, të paktën dy deputetë të Bundestagut nga partia Alternativa për Gjermaninë (AfD), Markus Frohnmaier dhe Steffen Kotré, pritet të marrin pjesë në forumin që do të zhvillohet në qershor. Ftesat janë dërguar nga Anton Kobyakov, këshilltar i presidentit rus Vladimir Putin, i cili në letrën zyrtare theksonte se pjesëmarrja në forum do të ndihmonte në forcimin e lidhjeve ekonomike, politike dhe kulturore mes palëve.

Në letër përmendej gjithashtu se edhe vetë Putin pritet të marrë pjesë në forum. Lëvizja shihet si një tjetër sinjal i afrimit mes Kremlinit dhe krahut të djathtë radikal në Gjermani, në një kohë kur AfD po fiton terren sidomos në rajonet lindore të vendit.

Sipas raportimit, drejtuesja e AfD-së, Alice Weidel, kishte tentuar më herët të frenonte udhëtimet e deputetëve të partisë drejt Rusisë për të shmangur perceptimin e një afërsie të tepruar me Putinin përpara zgjedhjeve lokale në Gjermaninë perëndimore.

Por pjesëmarrja e planifikuar e deputetëve të AfD në forumin e Shën Petersburgut tregon se partia mund të jetë duke ndryshuar kurs përpara zgjedhjeve të shtatorit në Gjermaninë Lindore, ku elektorati shihet më i favorshëm ndaj marrëdhënieve më të afërta me Moskën.

Deputeti i AfD-së, Stefan Keuter, deklaroi se nuk sheh asnjë arsye politike për të mos miratuar pjesëmarrjen e kolegëve të tij në forum. Para aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, forumi i Shën Petersburgut frekuentohej edhe nga liderë të rëndësishëm europianë, përfshirë ish-kancelaren gjermane Angela Merkel.

Megjithatë, pas tensioneve me Perëndimin dhe luftës në Ukrainë, aktiviteti është bojkotuar nga shumica e liderëve kryesorë europianë. AfD ka kërkuar vazhdimisht rivendosjen e marrëdhënieve më të afërta me Moskën, përfshirë rifillimin e furnizimit me gaz rus me çmime të ulëta për Gjermaninë.