MOSKË - Shumë i rezervuar për investimet që po kryhen në Greqi nga investirotët rusë dhe të huaj është shprehur gjatë një takimi për zhvillimin, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin. Gjatë një takimi në rajonin e Rostovit, Vladimir Putin deklaroi se "biznesmenët duhet të investojnë në zona të tilla dhe jo jashtë Rusisë". 

“Pse investohet në vende problematike si Greqia dhe jo në vendin tonë? Disa kolegë, të cilët janë të pranishëm këtu e bëjnë këtë, duke investuar shuma të mëdha të parave jashtë vendit. Midis të tjerave, për habinë time, kam zbuluar se një investim mjaft serioz është bërë kohët e fundit në Greqi",-  tha Putin në fjalimin e tij. 

Presidenti rus u shpreh se “Greqia është vend i mirë dhe shpirtërisht pranë nesh, por ne e dimë se çfarë problemesh financiare ka atje. Në qoftë se një investitor zgjedh një vend të tillë, pa dyshim problematik për investime dhe nuk preferon, të themi rajonin e Rostovit, lind pyetja: Përse?”. 

"Ne do të hetojmë se përse investitorët dhe njerëzit tanë e të huaj investojnë shuma të mëdha jashtë vendit dhe pse nuk kanë aftësinë për të investuar këtu", vijoi Vladimir Putin. 

Mediat greke e interpretojnë këtë si "kthim shpine" të aleates historike, Rusisë, ndaj Greqisë, ndërkohë që Athina zyrtare kishte investuar dhe vazhdon të investojë shumë në mbështeten financiare dhe me investimet ruse në Greqi. 

Vlen të përmendet se investimet ruse në Greqijanë shumë të rëndësishme, sidomos në sektorin e turizmit, por edhe kohët e fundit në atë të energjetikës. Ndërkohë Rusia vazhdimisht i ka kërkuar Greqisë që të çelë tregun e saj për blerjen e armatimeve ruse.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)