Kush do ta kishte thënë. Një takim mes Vladimir Putinit dhe Donald Trumpit “në teori është i mundur”, por për momentin “nuk ka asnjë urgjencë”, deklaroi Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit. “Ajo që nevojitet tani është një punë e kujdesshme, jo për një samit, por për një marrëveshje mbi Ukrainën”, shtoi ai, duke folur për agjencinë Tass. Edhe për këtë, megjithatë, nuk ka nxitim — të paktën kështu duket, po të shohësh mediat ruse, ku rënia e Pokrovskut dhe disfata e ushtrisë së Kievit kanë pushuar së qeni shpresa dhe janë bërë siguri të patundura.
I pari që e kishte bërë të qartë, edhe një herë, se nuk do të arrihej askund, ishte dhelpra dinake, Sergey Lavrov, i cili në gusht u paraqit në Alaska i veshur me një bluzë me siglën e ish-Bashkimit Sovjetik dhe me pamjen e dikujt që nuk mund ta merrte seriozisht të gjithë cirkun. Faktet i dhanë plotësisht të drejtë. Mali nuk polli as miun e zakonshëm. Ndoshta ndonjë marrëveshje, e arritur në heshtje. Por asgjë e re për çështjen e luftës në Ukrainë.
Arsyeja e bllokimit ishte dhe mbetet shumë e thjeshtë. Siç përsërit tashmë prej të paktën dy vitesh, Rusia nuk ka asnjë synim të ulet në tryezë për të negociuar një armëpushim në një luftë që ndien se mund ta fitojë në fushëbetejë. Në këtë pikë, Kremlini nuk ka treguar asnjë paqartësi. “Së pari të shohim si do të përfundojë në Donbas, pastaj flasim seriozisht.”
Dy raundet e Stambollit, ai i Riadit, Alaskës — asnjëri nuk e ka lëvizur as për një milimetër qëndrimin rus. Delegacionet ruse kanë marrë pjesë, por vetëm për të fituar kohë dhe për të mos e zemëruar partnerin e mundshëm amerikan. Kjo ka qenë gjithmonë e qartë për të gjithë. Aq më tepër tani.
I vetmi që nuk kupton, ose bën sikur nuk kupton, banon në Shtëpinë e Bardhë. Pas anulimit të samitit të Budapestit, presidenti rus tha me një dozë ironie se ishin vetë amerikanët që kishin propozuar takimin e ri. Lavrov më pas përsëriti se e ardhmja e marrëdhënieve “në nivelin më të lartë” midis dy vendeve varet nga pala amerikane. Si për të thënë se interesi i Rusisë për një tjetër takim është mjaft i kufizuar.
Mendja e Putinit përbën pa dyshim problemin kryesor për paqen. Por as ajo e Trumpit nuk ndihmon./Corriere della sera
Komente










