Presidenti rus, Vladimir Putin po forcon rrethimin ushtarak në Ukrainë. Pamjet satelitore të rrethimit që janë publikuar në mediat ndërkombëtare orët e fundit, dëshmojnë se Rusia ka rrethuar ushtarakisht Ukraninën, jo vetëm me trupa por edhe me pajisje të shumta ushtarake.
Në të njëjtën kohë, Ministria ruse e Mbrojtjes ka publikuar një foto ku shihen trupat ushtarake ruse në Bjellorusi, kjo në kuadër të një stërvitjeje të përbashkët.
Forcimi i pranisë ushtarake ruse rreth Ukrainës vjen në një kohë kur diplomacia ndërkombëtare, nuk ka arritur të gjejë një "rrugëdalje" nga kriza dhe mes një skene shpërthyese me kërcënime dhe paralajmërime nga të dyja palët.
Kujtojmë se vetëm disa orë më parë, presidenti amerikan Joe Biden dha "dritën jeshile" me miratoi dislokimin e afro 3,000 trupave amerikane në Evropën Lindore gjatë ditëve të ardhshme.
Imazhet satelitore të marra dhe analizuara nga Maxar Technologies , dhe të publikuara në CNN , "pasqyrojnë një nivel të rritur aktiviteti dhe gatishmërie ", sipas kompanisë amerikane.
Maxar dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve satelitore kanë parë në muajt e fundit zgjerimin e instalimeve ekzistuese ushtarake, kampet e trajnimit dhe bastionet në një zonë 241 kilometra të thellë përgjatë kufirit me Ukrainën. Disa të tjera janë vetëm pak kilometra larg kufirit.
Imazhet tregojnë një rritje të ndjeshme të pranisë ushtarake dhe vendosjen e tendave të reja për trupat që tregon se kampi është gati për të strehuar një numër shtesë ushtarësh megjithëse nuk ka asnjë tregues të qartë.
Imazhet tregojnë gjithashtu krateret nga vendet e granatimeve në dy kampe trajnimi në Rusi - Pogonovo, rreth 220 kilometra nga kufiri ukrainas dhe Persianovsky, vetëm 50 kilometra nga kufiri.