Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi një armëpushim dy-ditor më 8 dhe 9 maj në luftën me Ukrainën, me rastin e festimeve për Ditën e Fitores, dita kur ushtria sovietike fitoi ndaj ushtrisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Sipas deklaratës së Ministrisë ruse të Mbrojtjes, ushtria do të respektojë një armëpushim të njëanshëm më 8 dhe 9 maj “bazuar në vendimin e Udhëheqësit Suprem të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse, Vladimir Putin”.

Ministria paralajmëroi gjithashtu se nëse Ukraina përpiqet të prishë festimet, “do të ketë një sulm masiv me raketa në qendër të Kievit”.

Ndërkohë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi këtë propozim "cinik" dhe "të pandershëm".

"Kjo është lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Një armëpushim njëditor, dhe vrasja e popullit tonë para tij, është, për ta thënë butë, e pandershme. Sot, Merefa, dje, Dnipro: të vdekur, të plagosur, të rritur, fëmijë. Pas gjithë kësaj, të thuash 'le të ndalemi për një ditë për të mbajtur një paradë' nuk është serioze", tha Zelensky, duke shtuar se Moska ende nuk e ka informuar zyrtarisht Ukrainën për marrëveshjet e përkohshme të armëpushimit.

Zelensky nënvizoi se nuk ka festa në Ukrainë dhe se pas 9 majit, rusët "do të kthehen te vrasjet".