Bosnja dhe Hercegovina mund të ketë për herë të parë në histori një amerikan në krye të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR), institucioni që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.
Çështja pritet të diskutohet në mbledhjen e radhës së Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC), e cila zhvillohet më 3 dhe 4 qershor. Sipas raportimit të medias boshnjake Klix.ba, Shtetet e Bashkuara do të paraqiten në takim me kandidatin e tyre për këtë post.
Nëse kandidatura amerikane merr mbështetjen e nevojshme, do të thyhej një traditë e deritanishme, pasi drejtimi i OHR-së ka qenë gjithmonë në duart e diplomatëve europianë, ndërsa posti i zëvendësit zakonisht i është rezervuar një përfaqësuesi amerikan.
Aktualisht, Përfaqësues i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë është Christian Schmidt, ndërsa zëvendësi i tij është amerikani Louis Crishock. Sipas informacioneve jozyrtare, kandidati i mbështetur nga SHBA është Ëilliam Ruger, i cili aktualisht mban një post të lartë në strukturat amerikane të inteligjencës në administratën e presidentit Donald Trump.
Megjithatë, burime diplomatike të cituara nga Klix.ba pretendojnë se emri i Ruger mund të jetë paraqitur si një kandidat “kalimtar”, me qëllim që një alternativë tjetër të shihet më e pranueshme për vendet europiane. Si kandidat kompromisi përmendet diplomati italian Antonio Zanardi Landi. Por edhe emri i tij nuk shihet si i padiskutueshëm, pasi disa vende europiane thuhet se kanë rezerva për shkak të lidhjeve të supozuara me Rusinë.
Pavarësisht spekulimeve, ende nuk ka një emër të qartë se kush do të zëvendësojë Christian Schmidtin, i cili ka njoftuar largimin nga posti. Ajo që duket e qartë është se SHBA po tregon interes të madh për të ardhmen e OHR-së dhe rolin që ky institucion do të ketë në Bosnje dhe Hercegovinë në vitet e ardhshme.
Debatin për pasardhësin e Christian Schmidt e ka komentuar edhe ish-ambasadori amerikan në Bosnje dhe Hercegovinë, Michael Murphy, i cili ka paralajmëruar se vendimi që do të merret në mbledhjen e ardhshme të Këshillit për Zbatimin e Paqes do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhmen e Bosnjës.
Sipas Murphy, vendet anëtare të PIC duhet t’u përgjigjen tre pyetjeve kryesore: cili është interesi i tyre strategjik në Bosnje dhe Hercegovinë, nëse Zyra e Përfaqësuesit të Lartë me kompetencat e saj aktuale mund ta mbrojë atë interes dhe cili kandidat është më i përshtatshmi për këtë rol.
Ai theksoi se për SHBA-në, ruajtja e integritetit territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës ka qenë një objektiv strategjik për tre dekada. Murphy përmendi drejtpërdrejt Milorad Dodikun si politikanin që vë në pikëpyetje integritetin territorial të vendit, duke kujtuar deklaratat e tij të fundit për krijimin e forcave të armatosura të Republikës Sërpska dhe shpërbërjen e Bosnjës.
“Sinjalet që vijnë nga administrata aktuale sugjerojnë se politika dypartiake amerikane 30-vjeçare ka marrë fund. Në vend të saj është përqafuar koncepti i ‘pronësisë lokale’, së bashku me zotin Dodik – njeriun që ditët e fundit ka sugjeruar se Republika Sërpska duhet të ketë forcat e veta të armatosura, ka vënë në pikëpyetje integritetin territorial të Bosnjës dhe ka theksuar se objektivi i tij është shpërbërja e saj”, tha Murphy.
Ai paralajmëroi se krahas retorikës separatiste të Dodikut, po shtohen edhe kërkesat për krijimin e një entiteti të tretë kroat në Bosnje. Në të njëjtën kohë, Murphy kritikoi edhe propozime që vijnë nga kampi politik boshnjak.
“Një etno-nacionalist i njohur boshnjak propozoi krijimin e një mega-kantoni brenda Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës. Meqë ra fjala, kjo tingëllon tmerrësisht shumë si mbështetje për krijimin e një entiteti të tretë”, u shpreh ai.
Ai vlerësoi se shumica e vendeve anëtare të PIC vazhdojnë të mbështesin pa mëdyshje integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës, por paralajmëroi se ekziston besimi i tepruar se procesi i integrimit në Bashkimin Europian do të zgjidhë vetë problemet e brendshme politike të vendit.
“Në Bosnje, një lider etno-nacionalist kërcënon të braktisë procesin e integrimit europian nëse ai nuk zhvillohet sipas kushteve të tij, ndërsa një tjetër po i jep mbështetje politike de facto. Në këtë mjedis mund të jetë e rrezikshme të vendosësh të gjitha shpresat te procesi i anëtarësimit në BE si mjeti më i mirë për mbrojtjen e integritetit territorial të Bosnjës”, tha ai.
Sipas tij, nëse komuniteti ndërkombëtar arrin në përfundimin se OHR nuk është më i nevojshëm, atëherë vendet e PIC duhet të paraqesin një strategji tjetër të besueshme për mbrojtjen e Bosnjës dhe Hercegovinës nga forcat politike që synojnë dobësimin ose shpërbërjen e saj.
Komente








