Për të parën herë në historinë e SHBA, nis gjyqi i dytë për fajësimin e Trump! Akuzohet se nxiti trazirat e dhunshme në kongresin amerikan

Gjyqi për fajësimin e Trump për protestat e dhunshme të 6 Janarit të cilat shkaktuan vdekjen e 5 personave fillon sot. Menaxherët e fajësimit, të zgjedhur nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe avokatët e Trump do të kenë deri në 16 orë secili për të paraqitur çështjet e tyre, gjithashtu duke patur mundësinë e hapjes së një debati.

Udhëheqësi i shumicës së Senatit demokrati Chuck Schumer njoftoi se ishte rënë dakord për rregullat e gjyqit nga republikanët dhe demokratët e senatit, si dhe menaxherët e Dhomës dhe ekipi ligjor i Trump. Senati do të votojë rregullat të Martën dhe gjyqi do të fillojë me një debat katër-orësh mbi kushtetutshmërinë e procedimit të ndjekur më pas nga një votim, i cili pritet të kalojë me shumicën e votave.

"Korniza për të cilën kemi rënë dakord është jashtëzakonisht e drejtë", tha Schumer. "Kjo do të lejojë që gjykimi të arrijë qëllimin e tij: të vërtetën dhe përgjegjësinë."

Të dy avokatët e Trump dhe menaxherët e Dhomës së Përfaqësuesve shkëmbyen një raund tjetër të njoftimeve përpara fillimit të gjyqit.  Drejtuesit e Dhomës do të fillojnë prezantimin e tyre në mesditë të Mërkurën, me deri në 16 orë për të paraqitur çështjen e tyre në Senat për dy ditë. Pastaj avokatët e Trump do të kenë dy ditë për të paraqitur argumentet mbrojtëse, pasuar nga një seancë në të cilën senatorët mund të bëjnë pyetje me shkrim për të dy ekipet ligjore të lexuara nga kryetari i trupit gjykues, njëjtë si në procedurat e mëparshme të fajësimit, tha Schumer.

Me kërkesë të menaxherëve ata do të kenë një mundësi për të zhvilluar një debat dhe votim për thirrjen e dëshmitarëve.

"Ne jemi duke përfunduar një rezolutë për të cilën kanë rënë dakord të gjitha palët - menaxherët e Dhomës, ish-këshilltari i Presidentit,  McConnell dhe unë -  gjë e cila do të sigurojë një gjykim të ndershëm, dypartiak të Senatit për fajësimin e Donald Trump", tha Schumer duke shtuar se nëse menaxherët duan të thërrasin dëshmitarë, atëherë do të votohet në lidhje me këtë gjë.

Drejtuesi i grupit republikan të senatit Mitch McConnell vlerësoi marrëveshjen që u arrit, duke thënë se ajo krijon kushtet për të zhvilluar një proces të rregullt dhe mbron të drejtat e të dy palëve.

"Kjo do t'u japë senatorëve kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar çështjen dhe argumentet që secila palë do të paraqesë," tha McConnell.

Në kohën kur të fillojë gjykimi menaxherët synojnë të bëjnë çështjen e tyre të hapur si për publikun ashtu edhe për 100 senatorët që do të shërbejnë si juristë për të fajësuar Trump për trazirat vdekjeprurëse të muajit të kaluar. Ata kanë përgatitur një prezantim  për ditën e sotme, bazuar në pamjet vizuale të protestave të dhunshme të 6 janarit, nxitjen e protestuesve nga Trump  dhe pretendimet e tij gjatë muajve të fundit se zgjedhjet e 3 Nëntorit ishin vjedhur.

Ndërsa për shpalljen fajtor të Trump duhen 2/3 e Senatit gjë e cila ka shumë pak gjasa të ndodhë, çështja do të shërbejë si gjykimi i parë publik për veprimet e protestuesve të cilët arritën të ndalojnë përkohësisht Kongresin nga certifikimi i fitores së Presidentit Joe Biden, sulmuan me dhunë oficerët e policisë dhe kërkuan në mënyrë aktive nga Zëvendës presidenti Mike Pence dhe Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi që të ndalonin procesin.

Ekipi ligjor i Trump planifikon të argumentojë se Trump nuk i nxiti protestuesit dhe se gjyqi  ndaj tij është antikushtetues pasi Dhoma e  Përfaqësuesve nxitoi të fajësonte Trump pa i dhënë atij mundësinë për të mbrojtur.

'Teatër politik' kundrejt provave

Të hënën, ekipi ligjor i Trump akuzoi Demokratët për inicimin e një ”Teatri Politik” ndërsa argumentuan në një deklaratë paraprake se gjyqi për fajësimin e Trump  ishte antikushtetues sepse Trump nuk është më president.

"Kjo është vetëm një përpjekje egoiste e udhëheqjes demokratike në Dhomën Përfaqësuese për të shfrytëzuar ndjenjat e tmerrit dhe konfuzionit që prekën të gjithë amerikanët, të gjitha spektrave politike kur panë shkatërrimin në Capitol më 6 janar nga disa qindra njerëz," thanë avokatët e Trump.

"Në vend që të ndërmarrin masa për të shëruar kombin, ose të paktën të përqendrohen në ndjekjen penale të shkelësve të ligjit që sulmuan Kongresin Kryetarja e Dhomës dhe aleatët e saj janë përpjekur të përdorin kaosin e momentit për përfitimet e tyre politike", thanë ata.

Në një përmbledhje prej 75 faqesh, avokatët e Trump synojnë të tregojnë se ish-presidenti nuk nxiti protestuesit dhe se fjalimi i tij  në lidhje me mashtrimet zgjedhore mbrohet nga Amendamenti i Parë. Ekipi i Trump argumentoi se deklarata e tij më 6 janar për mbështetësit e tij për të "luftuar sa të munden" ishte retorikë, thjesht në një kuptim "figurativ" dhe theksuan se menaxherët injoruan komentet e Trump për të qëndruar paqësor.

"Nuk ishte dhe nuk mund të interpretohet si inkurajim për akte dhune," shkruajnë avokatët e Trump.

Menaxherët e Dhomës së Përfaqësuesve iu përgjigjën avokatëve të Trump të hënën në një përmbledhje me pesë faqe, gjë e cila i bëri avokatët të mendojnë përsëri se gjyqi ishte antikushtetues dhe se fjalimi i Trump nuk i nxiti protestuesit në Kapitol më 6 janar. Përgjigja ndaj fajësimit të Trump javën e kaluar, argumentoi se mbështetja e Trump në Amendamentin e Parë ishte "krejtësisht e pabazë" dhe ishte e provueshme që Trump gënjeu sa u përket mashtrimeve zgjedhore.

"Pretendimet e përsëritura të Presidentit Trump për zgjedhje të" manipuluara "dhe" të vjedhura "ishin të rreme, pa marrë parasysh sa hapa ndërmarrin avokatët e tij për të shmangur  një gjë të tillë ," thonë menaxherët e Dhomës.

"Provat  janë të jashtëzakonshme. Ai nuk ka asnjë justifikim ose mbrojtje të vlefshme për veprimet e tij. Dhe përpjekjet e tij për t'i shpëtuar përgjegjësisë janë krejtësisht të kota ," shtuan ata.

Gjatë gjykimit të parë të fajësimit të Trump, senatorëve iu kërkua të qëndronin në Senat në debate të gjata, por këtë vit, senatorëve nuk do t'u kërkohet të qëndrojnë në tryezat e tyre për shkak të distancës pandemike. Megjithatë senatorët do të duhet të jenë të pranishëm në sallë për të votuar.

"Ka shumë pak mundësi të ndodhë"

Kur na ndajnë vetëm pak orë nga fillimi i gjyqit të fajësimit ndaj Trump, duket se ka pak pasiguri në lidhje me rezultatin përfundimtar. Edhe senatorët republikanë të hapur për fajësimin e ish-presidentit shprehen se nuk do të shkojnë në Senat me mendimin për ta shpallur atë fajtor. Për vendimin duhet që të paktën 17 senatorë republikanë të bashkohen me demokratët për të votuar në lidhje me të. Muajin e kaluar, 45 nga 50 Republikanët e Senatit votuan në favor të një mocioni procedural për t’i dhënë fund gjyqit për arsye kushtetuese.

"Unë mendoj se është shumë e vështirë”, tha Pat Toomey senatori i Pensilvanisë dhe një nga senatorët republikanë të cilin demokratët shpresojnë ta bindin për të votuar pro dënimit të Trump në përfundim të gjyqit, pasi 10 republikanë të Dhomës votuan në favor të fajësimit muajin e kaluar.

Senatorët e tjerë kryesorë republikanë që votuan  së bashku me Toomey dhe demokratët për kushtetutshmërinë e gjyqit janë: Susan Collins nga Maine, Lisa Murkowski nga Alaska, Mitt Romney nga Utah dhe Ben Sasse nga Nebraska. Është ende  paqartë nëse ndonjë republikan tjetër po mendon të votojë për dënimin e Trump.

Çështja e Demokratëve do të mbështetet në videon e vetë kryengritësve në 6 Janar si dhe komentet e paraqitura në aktakuzat pasuese, se si ata u frymëzuan nga Trump për të sulmuar Kapitolin dhe për të ndaluar transferimin paqësor të pushtetit.

Çështja e tyre do të përqendrohet gjithashtu në komentet e Trump, në muajt përpara trazirave ku ai përhapte teori konspirative në lidhje me mashtrimet zgjedhore, ashtu edhe në 6 Janar kur ai foli para se ndjekësit e tij të marshonin në Capitol.

Republikanët të ndihmojnë në mbrojtjen e Trumpit publikisht

Në paraqitjen e tyre javën e kaluar, ekipi i Trump argumentoi se fjalimi i tij ishte i mbrojtur nga Amendamenti i Parë dhe ai nuk i nxiti protestuesit të sulmojnë Kapitolin. Por ndoshta argumenti më i madh që avokatët e tij kanë në plan të përdorin dhe ai që republikanët e Senatit ka të ngjarë të tregojnë është se gjykimi i një ish-zyrtari nuk është kushtetues.

Megjithatë, ka pasur ekspert ligjorë në të dy kahet që thonë se gjyqi është kushtetues, pasi Trump u fajësua nga Dhoma, në kohën që ai ende ishte president dhe Kushtetuta i jep Senatit fuqinë për të ndaluar dikë që të mbajë një post publik në atë ardhmen, përveç largimit të tyre nga detyra.

Avokati republikan Charles Cooper, i cili përfaqësoi ish-këshilltarin e sigurisë John Bolton gjatë fajësimit të parë të Trump. shkroi në një shkrim të Wall Street Journal se Kushtetuta nuk e ndalon Senatin të gjykojë një ish President.

"Senatorët që mbështetën mocionin e  Paul duhet të rishikojnë pikëpamjen e tyre dhe të gjykojnë sjelljen e ish-presidentit," shkroi Cooper.

Një grup republikanësh të Dhomës aleat me Trump po përsëritin rolin e tyre në gjyqin e dytë të fajësimit të ish-Presidentit për ta mbrojtur atë në debatin publik. Rreth një gjysmë duzine republikanë po ndihmojnë mbrojtjen ligjore të Trump duke planifikuar të flasin me gazetarët gjatë pushimeve në gjyqin e fajësimit, sipas një burimi të njohur me këtë çështje.

Kjo është ajo që Republikanët bënë gjatë gjykimit të parë të fajësimit të Trump vitin e kaluar, kur ata do të flisnin me kamerat televizive jo shumë larg dhomës së Senatit gjatë pushimeve mes seancave. 

Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve që marrin pjesë në përpjekjen për të mbrojtur publikisht Trump gjatë gjyqit Janë ; Jim Jordan, Lee Zeldin, Elise Stefanik Mike Johnson , Matt Gaetz dhe Andy Biggs.

Debati mbi dëshmitarët afrohet gjatë fillimit të gjyqit

Ndryshe nga fajësimi i parë i Trump, i cili ishte edhe më i ndërlikuar sepse kishte të bënte me një me një “kërcënim” për Ukrainën dhe detyrimin e tyre, për të mbajtur për Biden.  Menaxherët e fajësimit këtë herë  tregojnë një histori që senatorët e dinë shumë mirë pasi ata vetë u detyruan të largoheshin nga Senati pas trazirave në Kapitol dhe u mbyllën në një dhomë.

Kjo është arsyeja pse menaxherët mund të mos thërrasin asnjë dëshmitar të jashtëm në gjyq, ndryshe nga gjykimi i parë kur ishte e domosdoshme. Menaxherët e Dhomës së Përfaqësuesve javën e kaluar kërkuan dëshmi direkt nga Trump, por avokatët e tij refuzuan atë propozim dhe Demokratët nuk ka gjasa të dërgojnë një thirrje për të.

Rregullat e gjykimit që po finalizohen nga udhëheqësit e Senatit dhe do t'u ofronin menaxherëve të Dhomës për të kërkuar një votë për thirrjen e dëshmitarëve, por kjo mban të hapur vetëm  mundësinë - nuk është një tregues më vete se menaxherët planifikojnë ta bëjnë këtë.

Problemi për menaxherët është e paqartë se kë mund të thërrasin si dëshmitar i cili mund të flasë për mentalitetin e Trump. Akoma, disa demokratë të Senatit thonë se nuk duan të pengojnë menaxherët për hir të shpejtësisë. Përktheu për Shqiptarja.com Suada Mehmetaj 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:52
Nis gjyqi i dytë për fajësimin e Trump, akuzohet se nxiti trazirat e dhunshme në kongresin amerikan

1611143252_1610005197donaldtrump.jpg

Nis gjyqi i Senatit për fajësimin e ish-Presidentit Donald Trump. Gjyqi i cili filloi në orën 13:00, në orën lokale do të ketë deklarata dhe debate të hapura midis menaxherëve të Dhomës Përfaqësuesve dhe avokatëve mbrojtës të Trump, ku diskutimi pritet të zgjasë për rreth 4 orë në total.

Senati më pas do të votojë me shumicë të thjeshtë nëse gjyqi është kushtetues, i cili u pohua 55 pro-45 kundër në një votim të ngjashëm muajin e kaluar. Nëse shumica e Senatit thotë se gjyqi është antikushtetues, gjë që nuk pritet të jetë rasti, atëherë gjyqi i fajësimit do të pushohet menjëherë.

Zyrtarët demokratë kanë nxitur mbajtjen e gjyqit edhe pse shumë republikanë i kanë quajtur përpjekjet e tyre jokushtetuese tani që Trump ka lënë detyrën. Trump nuk e njohu rezultatin e zgjedhjeve të 3 Nëntorit 2020, duke pretenduar se zgjedhjet u manipuluan në favor të rivalit demokrat. Megjithatë, avokatët e tij nuk paraqitën fakte bindëse për manipulimin, çka bën që gjykatat të refuzonin nisjen e proceseve penale.

Trump i ka hedhur poshtë akuzat dhe ka refuzuar thirrjen për të dëshmuar para Senatit. Por demokratët thonë se do të paraqesin fakte bindëse që e inkriminojnë ish-presidentin. Nëse shpallet fajtor Donald Trump-it i hiqet e drejta të kandidojë për një mandat të dytë presidencial, ose të zgjidhet në poste publike si dhe i hiqen privilegjet si ish-president.

/I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'