Pothuajse një formacion i Kombëtares shqiptare e sheh veten në merkato. Janë të paktën dhjetë futbollistë, që kërkojnë skuadër të re, ose po mendojnë të ndryshojnë ambientin. Mbrojtja mbetet më problematike. Mërgim Mavraj është pa kontratë pas largimit nga Hamburg, ndërsa emri më i fundit në skenë që interesohet për mbrojtësin 32-vjeçar është Hannover.
Në qendër të mbrojtjes dilema ka edhe për të ardhmen e Arlind Ajetit që është jashtë planeve të Torinos, por edhe për Berat Gjimshitin, i cili u rikthye tek Atalanta, por pritet të largohet. Në krahun e majtë mbetet problematike çështja e Naser Alijit, që vazhdon të jetë pa skuadër. Në mesfushë janë situatat e Astrit Ajdareviç, i lënë jashtë skuadrës nga trajneri i AEK-ut, me mesfushorin që duhet të gjejë një tjetër ekip për të vazhduar karrierën.
Në kërkim të një klubi është edhe Keidi Bare pas përfundimit të kontratës me Atletico Madrid, me talentin fierak që pritet të shqyrtojë alternativat. Ndërkohë, Valon Ahmedi synon të bëjë një hap të rëndësishëm në karrierë, për t’u larguar nga Maribori në Slloveni drejt një lige më të fortë europiane.
Në sulmin e kuqezinjve që janë në merkato ndodhen dy prej yjeve shqiptarë të këtij reparti. Armando Sadiku dhe Sokol Cikalleshi. Sadiku vijon përgatitjet me Levanten, megjithatë sinjalet nga ligat e tjera nuk kanë munguar. Në Turqi, Sokol Cikalleshi është në pritje të një oferte të mirë, për t’u larguar nga Osmanlıspori që në këtë sezon do të militojë në ligën e dytë. Ndeshja e parë e Kombëtares shqiptare është ajo ndaj Izraelit më 7 shtator për Ligën e Kombeve, ndaj situate e kuqezinjve e ka bërë me dhimbje kokën trajnerin Panucci.