Përse shiten aksionet e ARMO-s?
Duket qartë se kjo është e vetmja mundësi që i ka mbetur Rezart Taçit. Prej disa kohësh, ai nuk po respekton detyrimet, as ndaj shtetit, as ndaj punonjësve, kontraktorëve e klientëve të tij. Ajo që mbetet të mësohet është se me çfarë kushtesh po e shet ai pjesën e tij në këtë kompani, pra fiton gjë nga transaksioni, apo gjithshka shkon për të shlyer detyrimet.

Kush perfiton nga shitja?
Institucioni i parë që përfiton është sigurisht Banka Credins, që rezultonte kreditore i një shume të lartë nga ARMO dhe njëkohësisht debitore drejt Bankës së Azejrbaxhanit, që në fakt një vit më parë kishte kërkuar sekuestrimin e aksioneve të Credins për të garantuar shllyrjen e borxhit. Nëse është e vërtetë, siç është deklaruar deri tani, që blerësit e rinj të ARMO-s do të paguajnë të gjithë borxhet, atëherë nga operacioni mund të përfitojë edhe Shteti që ka grumbulluar dhjetëra milionë euro ndaj ARMO-s si tatime të pashlyera.

Do ta miratojë qeveria e re këtë lëvizje?
Kjo është një pikëpyetje e madhe, pasi lëvizja vetë, po të nisesh nga nxitimi, nga mungesa e transparencës, nga emrat që dalin në skenë si drejtues, nuk jep shenja transparence, që duhet t’i sqarojë shteti për opinionin. Padyshim, me formimin e Qeverisë së re, ministri i Ekonomisë dhe ministri i Financave duhet të pretendojnë nga blerësit e ARMO-s të dinë se nëse pas tyre fshihen personazhë të tjerë. Te dy ministritë bashkë me Qeverinë duhet të vigjilojnë për ligjshmërinë e kontratës së shitjes dhe për respektimin e të gjitha detyrimeve financiare duke filluar nga ato tatimore.

Kush mund të fshihet pas kompanisë që deklarohet si blerëse?
Në të ka azerë, amerikanë, por edhe nëpunës qeveritarë e njerëz pranë familjes Berisha. Mund të mendohet se Taçit i rimerret pasuria, por ajo kalon në duar të njerëzve që po lenë pushtetin ekzekutiv. Në një rast të tillë, nëse kjo verifikohet, qeveria e re duhet të ndërhyjë për të anuluar veprimet, ose të paktën për t’i pezulluar derisa të sqarohet gjithshka.