Britania duket sa më afër largimit nga Bashkimi Europian. Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk tha se bisedimet e së dielës në Londër me kryeministrin britanik David Cameron, përfunduan pa marrëveshje për qëndrimin e Britanisë në Bashkimin Evropian.

Megjithatë ka ende shpresë për takimin që do të vazhdojë sot. Tusk, të dielën vonë në rrjetin social twitter, i përshkroi bisedimet në 24 orët e ardhshme si vendimtare.     

Cameron tha se takimi i së hënës mund të çojë tek një dokument mbi reformat në Bashkimin Evropian të kërkuara nga Britania në shkëmbim të qëndrimit në bllokun ekonomik e politik 28 vendesh.

Nëse arrihet marrëveshja, atëherë ajo duhet të marrë miratimin e votuesve britanik në një referendum që partia e Cameronit ka premtuar të mbahet deri në fund të vitit 2017.

Mosmarrëveshjet ndërmjet Londrës dhe Brukselit u shtuan vitin e kaluar, derisa kriza e emigrantëve përfshiu kontinentin. Qeveria e Cameronit që nga atëherë ka kërkuar reforma në BE, një pjesë e të cilave nënkupton që t'u lejohet vendeve të BE-së të kontrollojnë numrin e emigrantëve dhe të kufizojnë përfitimet e tyre sociale.

Londra do të kërkojë po ashtu më shumë pushtet për qeveritë kombëtare dhe mbrojtjen e Britanisë dhe tetë vendeve tjera të BE-së që nuk e përdorin monedhën euro.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)