Qafë Botë, policia greke vijon të ndalojë çamët të kalojnë kufirin! Shkrimtari dhe themeluesi i Shoqatës Çamëria denoncon, Arben Kondi publikon dhe dokumentin

Qafë Botë, policia greke vijon të ndalojë çamët të kalojnë kufirin! Shkrimtari dhe themeluesi i Shoqatës Çamëria denoncon, Arben Kondi publikon dhe dokumentin

Shkrimtari Arben Kondi, një nga themeluesit e Shoqatës Çamëria

Sarandë- Një tjetër incident ka ndodhur në pikën kufitare të Qafë Botës në Sarandë, ku protagoniste është përsëri policia greke, që vijon të mos lejojë personalitete shqiptare që përfaqësojnë Çamërinë.

Oficerët helenë nuk kanë lejuar shkrimtarin e njohur shqiptar, njëkohësisht dhe një prej themeluesve të Shoqatës Patriotike Çamëria, Arben Kondi, që të kalojë në sportelin e kufirit.

Atij i është dashur të përballet me një situatë aspak të zakontë në pikën doganore, teksa ngjarja u denoncua edhe nga vetë Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, në rrjetin social Facebook.

Gjithçka ka ndodhur të dielën (1 Shtator), në doganën greke në Qafë Botë. Sipas tyre, “pala greke nuk e ka lejuar shkrimtarin të kalojë me argumentin se nuk dispononte dokumentet e nevojshme lidhur me qëndrimin e tij”.

Postimi i Shoqatës Çamëria

“Më datë 1 Shtator 2024 në doganën greke në Qafë Botë i është refuzuar lëvizja e lirë Z. Arben Kondi, shkrimtar i mirënjohur shqiptar dhe një prej themeluesve të Shoqatës Patriotike Çamëria dhe njëkohësisht një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, me argumentin : “Nuk disponon dokumentet e nevojshme provuese lidhur qellimin e qendrimit të tij, nuk u tregua dokumenti”, shkruhet në postimin e shoqatës.

Më poshtë publikohet edhe dokumenti që pala greke pretendon se Kondi nuk e kishte dorëzuar në doganë. Kondi shprehet se ai e ka pasur dokumentin, që shihet edhe në foto, por autoritetet kufitare greke duket se nuk kanë ndryshuar vendimin.

Dokumenti që pala greke pretendoi se mungonte

Më tej njoftohet se Arben Kondi i është drejtuar edhe palës shqiptare në doganën Qafë Botë, mirëpo dhe aty është përballuar me një indiferencë.

Sipas Fondacionit Çamëria, aktivizimi i shkrimtarit prej kohësh në mbrojtje të të drejtave të Çamërisë, ka qenë arsyeja që Kondi është privuar nga e drejta e lëvizjes së lirë.

“Arben Kondi është një figurë e spikatur e Çamërisë, shkrimtar dhe publicist. Shkrimet e tij dhe qëndrimet e tij për Çamërinë kanë sjellë mesazhe drejtësie për respektimin të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë bazuar në çdo normë ndërkombëtare. Stenda e librave “Çamëria” e kudondodhur në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal i Zi, si dhe aktivizimi i Arbenit për të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë janë “faji” i vetëm i Arben Kondit që shqetësoi palën greke ne doganën Qafë Botë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Dokumenti i treguar nga Arben Kondi

Autoritetet shqiptare të Policisë Kufitare nuk kanë bërë ende një reagim publik për rastin.

Por ky nuk është precedenti i vetëm, pasi jnë të shumta rastet kur autoritetet kufitare greke ndalojnë personalitete shqiptare apo qytetarë që i përkasin komunitetit të Çamerisë dhe shoqatës në fjalë.

Skeda/ Precedentët me kthimet e çamëve dhe incidenti me magjistratët që dënuan kreun e OMONIA-s

Më 27 Shkurt 2018, policia greke do kthente pas një autobus ku udhëtonin 30 shqiptarë përfaqësues të komunitetit çam. Pas debateve në doganë, ata nuk janë lejuar të hyjnë në shtetin fqinj. Shqiptarët po udhëtonin drejt Prevezës, në vendin e të parëve të tyre, por policia kufitare greke nuk i ka lejuar dhe i ka ndaluar në doganë, duke u thënë se “po kërkoni pronat tuaja, ndaj nuk ju lejojmë”.

Rasti më i çuditshëm i përket ngjarjes së ndodhur më 29 Qershor 2011. Një i moshuar nga Vlora, i lindur në Gumenicë në 1937, nuk u lejua të udhëtojë drejt Greqisë për të parë fëmijët e tij, vetëm për shkakun se kishte lindur në Çamëri. Xhelal Hajrulla u ndalua dy herë me radhë në Kapshticë dhe Kakavijë, vetëm për prejardhjen e tij, madje me argumentin e palës greke se “ishte i rrezikshëm në disa shtete të BE-së”.

Edhe më 17 Mars të vitit 2011, policia greke kthehu menjëherë mbrapsht në kufi sapo konstatoi se në pasaporta shkruhej Çamëri, një çift të moshuarish në Kakavijë. Bebi dhe Marie Bajrami ishin nisur me autobus për të vizituar fëmijët e tyre në Greqi dhe se kjo u ndodhte për herë të parë.

Por precedenti më i rëndë do ishte ai me trupën e gjyqtarëve të Korçës, që kishin dënuar më herët kreun e OMONIA-s në qark, Naum Dishon, për çështjen e dhunimit të varrezave të Boboshticës. Incidenti ndodhi më 18 Prill 2012. Doganierëve helene iu dorëzua lista me gjyqtarë dhe prokurorë, por s’u lejuan.

Nga një tubim i Shoqatës Çamëria në kufi

Konkretisht kryetarja e Gjykatës së Apelit në Korçë në atë kohë, Entela Prifti si dhe përfaqësuesja e trupit gjykues në shkallën e parë, Afërdita Maho. Po ashtu janë bllokuar edhe prokurorët e kësaj çështje. I vetmi që i ka shpëtuar dënimit ka qenë gjyqtari Stavri Kallço, që ka qenë në favor të shpalljes i pafajshëm për Naum Dishon.

Kurse më 23 Gusht 2014, policia greke ndaloi në pikën kufitare të Sarandës 82-vjeçarin Qemal Dine për shkak të dokumentit të identifikimit ku shkruhej vendlindja Çamëri, teksa nuk është lejuar të vazhdojë udhëtimin drejt Korfuzit.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Terrorizëm antisemitik

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Terrorizëm antisemitik