FIER - Këshilltarët demokratë të qarkut të Fierit miratuan sot projektbuxhetin e vitit 2013. Ata u mblodhën në një sallë konferencash të një hoteli në qytet nën drejtimin e  Artur Shehut të PD-së. Ndërkohë që mbledhja e anëtarëve socialistë me Vangjel Ndrekon e PS-së dhe nënprefekten e qarkut u zhvillua në sallën e mbledhjes së bashkisë.

Të dy kishin lënë të njëjtin orar, atë të orës 10:00, por më pas këshilltarët demokratë e nisën mbledhjen 30 minuta me vonesë.

Nga 96 anëtarë që ka ky këshill në përbërjen e tij, të pranishëm ishin vetëm 49 prej tyre. Në fillim të takimit, kryetari aktual, Artur Shehu sqaroi edhe njëherë këshilltarët e pranishëm për legjimitetin e këtij këshilli. "Pretendenti tjetër, përfaqësuesi i PS, Vangjel Ndreko ka tërhequr padinë e depozituar në gjykatën e Fierit, duke hequr dorë përfundimisht nga kërkesa për t'u njohur si kryetar i këshillit të qarkut", bëri të ditur Shehu. Ai bëri të ditur edhe njëherë vendimin e Gjykatës së Lartë, që sipas tij legjitimon mbledhjen e këshillit të qarkut, që zgjodhi si kryetar të këtij këshilli Artur Shehun, përfaqësues i Partisë Demokratike.
Më pas, u kalua në procesin e votimit të projektbuxhetit dhe projekt-vendimeve të ardhura nga njësitë vendore dhe drejtoritë e qarkut. Këshilltarët votuan të gjitha pikat e rendit të ditës, duke i hapur kështu rrugë investimeve dhe aktivitetit ekonomik të njësive vendore në qarkun e Fierit.

PS: MBLEDHJA  E PALIGJSHME SE NUK ISHTE KUORUMI
Në mbledhjen e sotme mungonin këshilltarët e majtë, të cilët ishin mbledhur në një takim paralel në sallën e bashkisë, të cilën e drejtonte pretendeti socialist për kryetarin e qarkut, Vangjel Ndreko.
Përfaqësuesi socialist, prendent për kryetar të këshillit të qarkut të Fierit, Vangjel Ndreko deklaroi se PD nuk ka kuorumin e këshilltarëve prandaj dhe mbledhja e tyre duhet të quhet “e paligjshme”. Ai akuzoi kryeministrin Berisha se është fajtor për ngërçin institucional ku ndodhet qarku i Fierit dhe bëri apel “ta çlirojë” .

Qarku i Fierit ka në total 96 anëtarë të zgjedhur. Në mbledhjen e realizuar nga PD të pranishëm kanë qenë 49 anëtarë. Ndërkohë që në mbledhjen e realizuar nga PS kanë qenë të pranishëm 53 anëtarë.
Posti i kryetarit të Këshillit të Qarkut të Fierit është bërë mollë sherri për PS dhe PD. Madje mazhoranca akuzoi PS se kushtëzoi statusin e vendit kandidat për këtë qark, ndërkohë që PS thotë se kërkon vetëm zbatimin e vendimeve gjyqësore ku i japin të drejtën Vangjel Ndrekos. Konflikti po mban peng aktivitetin administrativ të njësive vendore prej 1 vit e gjysëm.

Nga zgjedhjet e 8 majit, Vangjel Ndreko u zgjodh kryetar i këshillit të qarkut, por të djathtët, më 19 shtator 2011 e rrëzuan, duke shpallur si kryetar Artur Shehun nga Partia Demokratike.

(sg/shqiptarja.com)