TIRANE - Goditje e rëndë dhe përfundimtare për të djathtën në Qarkun e Beratit. Janë vetëm dy përfaqësuesit e saj që do të jenë në Kuvendin e ardhshëm: ish-ministri i Inovacionit Genc Pollo dhe pronari i Universitetit UFO Astrit Veliaj, që kandodoi për herë të parë për deputet në rradhët e PD.

Jashtë Kuvendit ka mbetur një figurë që ju afrua shumë PD, pasi u largua nga LSI-ja më parë,  pikërisht ai që i bëri këngë Sali Berishës, me vargjet “O Sali, t’u bëfsha ferrë; merr pushtetin dhe një herë…”, këngë që iu këndua nga grupi popullor i komunës së Otllakut, ish-përfaqësuesi i LSI-së Lefter Maliqi.

Të majtët tashmë kanë marrë gjashtë mandate deputeti, ku socialistët nuk kanë pasur një ngjitje në mandate, duke marrë vetëm katër të tillë. Ndërkohë që LSI ka garantuar dy mandate deputeti, duke shënuar një rritje të jashtëzakonshme të peshës së kësaj partie.

PD nuk ka mundur të marrë një mandat të tretë, pasi për një gjë të tillë asaj i duheshin 7 mijë vota, gjë të cilën nuk do të arrinte në asnjë mënyrë ta bënte. “Luftë” për një mandat u zhvillua brenda së majtës, midis numrit pesë të PS Artan Lame dhe numrit dy të LSI Gledjon Rehovica. Lame nuk arriti për një grusht votash ta marrë këtë mandat.

Rezultati i Beratit mund të konsiderohet jashtëzakonisht pozitiv për forcat e majta politike, të cilat kanë qenë edhe më parë aty në epërsi, por kurrë me një diferencë të tillë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 26.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)