TIRANE - Megjithëse procesi i numërimit të votave ka përfunduar në qarkun e Lezhës, mamurrasit mbajnë peng certifikimin e zgjedhjeve. gjatë ditës së djeshme është pezulluar procesi i certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve me argumentin se komisionerët janë të lodhur.

Janë komisionerët e KZAZ-së nr. 15 në Laç, të cilët nuk pranojnë të firmosin procesverbalet e rezultateve të votimit. Megjithëse numërimi i votave ka përfunduar rreth orës 16:00pas disa orësh bllokimi, komisionerët janë tërhequr pikërisht në momentin kur bëhej fjalë për firmosjen e procesverbaleve.

Socialistët pretendojnë se në këtë zonë kanë fituar mbi 900 vota më shumë se demokratët, vota këto të cilat i japin aleancës së majtë mandatin e katërt.Por krejt të kundërtën pretendojnë demokratët.

Përfaqësuesit e kësaj force politike thonë se diferenca është shumë më e vogël, ndaj edhe ata pretendojnë se janë në avantazh. Kutitë e pacertifikuara i përkasin bashkisë së Mamurrasit, zonë në të cilën demokratët morën vota më shumë se në të gjitha njësitë e tjera vendore.

Pa certifikimin e KZAZ nr. 15, rezultati i zgjedhjeve në qarkun e Lezhës është në favor të koalicionit të majtë, respektivisht 3 deputetë i ka marrë PS, 1 deputet LSI dhe 3 PD.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)