Rreth 3000 ha tokë bujqësore janë nën ujë në qarkun e Lezhës, me bashkinë më të prekur, Kurbinin. Pamjet me dron dëshmojnë vërshimin e ujit në mijëra hektarë tokë bujqësore.
Çarja e argjinaturës së lumit Droje solli përkeqësim të situatës në fshatin Adriatik, aty ku banorët janë rrethuar nga uji prej 3 ditësh, ndërsa në total në bashkinë e Kurbinit, janë 100 familje të izoluara.
'Këtu brenda nga të shkojmë. Si kështu s'ka ndodhur kahera', tha një e moshuar 78- vjeçe.
'Te shtëpia ime është deri në mes me ujë. Kjo punë nuk është sot, po bën 35 vjet kjo gjendje. Ne e shtrojmë rrugën vete, por më gjatë si japin dum. Duhet bërë një brez betoni, të rregullohet', tha banori në fshatin Adriatik.
'Është duke bërë dëm robi, po më dek plaku, për një argjinaturë që se kanë vënë. Kur ka qenë kryetarja e bashkisë ka thënë nuk prek dorë unë këtu se e ka bordi kullues. Lopë e dele kanë mbaruar krejt por kam të sëmurë plakun', tha një tjetër banorë.
Çarja e argjinaturës preku edhe 2 fshatra të Krujës, dhe cenoi punën e hidrovorëve Drojë e Shëllinza të Kurbinit, të cilët po punojnë në kuota kritike.
'Çdo vit përmbytje, shtet s’ka, komunë s’ka, qeveri s’ka, kanalizimet janë përmbytur përvit, nuk pastrohen. Mund të kenë mbi 10 vjet pa pastruar. Natyra bën të vetën, por nuk ka kullime, jemi të izoluar. Në kohën e xhaxhit uji derdhej në lumë, tani shkon në fushë, zoti na paftë, zoti na ndihmoftë', tha një banorë në Krujë.
Në disa fshatra të Lezhës, Torovicë e Tresh ka rrëshqitje dherash. Nga aty, deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, theksoi se është urgjente ndërhyrja në hidrovorin e Balldrenit, në të cilin mungojnë investimet.
Një anije mallrash me flamur të Tanzanisë e nisur nga Porti i Durrësit mbeti e bllokuar në det në afërsi të brigjeve të Tales në Lezhë, pasi gjatë manovrave për t’i shpëtuar motit të keq, ngeci në cekëtinë.
Në Mirditë gjatë natës, si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë, rrjedha e lumit Fan i Vogël ka gërryer tokat bujqësore.
Qarku i Elbasanit paraqet një situatë më të qetë, me reshje borë në lartësi të maleve dhe qarkullim pa probleme. Një rrezik është shënuar në liqenin e Belshit, i cili është fryrë dhe janë hapur portat e shkarkimit.
Komente









