Korçë-Në aksin Lozhan-Moglicë-Gramsh ditën e sotme është vështirësuar qarkullimi i mjeteve, ndërsa është shtuar edhe fluksi i mjeteve.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se nga rruga e Gramshit janë lejuar të hyjnë drejt juglindjes 2 kamiona që thuhet se janë të OSHEE-së.
Këta të fundit kanë mundur të hapin krahun në anë të rrugës, por për shkak të lëvizjes së lartë të mjeteve, është krijuar një ngërç në qarkullim.
Lëvizja e mjeteve po bëhet e ngadalësuar, ndërsa në këtë segment sapo ka mbërritur policia e qarkullimit të Korçës për të bërë hapjen totale të rrugës.
Prej pesë ditësh qarkullimi drejt juglindjes është ndërprerë për shkak të degradimit të aksit rrugor Librazhd–Prrenjas. Shembja e rrugës dyshohet se ka ardhur nga erozioni i vazhdueshëm, i cili mund të jetë përkeqësuar nga gërryerjet masive në basenin e lumit Shkumbin.
Tashmë qytetarët nga Tirana mund të udhëtojnë drejt Korçës vetëm përmes rrugës Tiranë–Elbasan–Gramsh–Moglicë–Lozhan–Maliq–Korçë, ndërsa distanca totale është 210 kilometra, ndërsa koha e udhëtimit llogaritet mesatarisht 4-5 orë.
Komente












