Qefalia: Ta ndihmojmë Nishanin të
mos përgjohet, të ndihet më komod

Qefalia: Ta ndihmojmë Nishanin të<br />mos përgjohet, të ndihet më komod
TIRANE - Deputeti i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Xhemal Qefalia, kërkoi që ky komision të investohet ndaj shqetësimit të kreut të shtetit, se ai po përgjohet. Deputeti socialist, duke iu referuar një deklarate mediatike të Nishanit, kërkoi që komisioni i sigurisë të mblidhet më shpesh dhe veç të tjerash, të shqyrtojë dhe këtë çështje, për të krijuar kushtet e nevojshme që Presidenti i Republikës të kryejë në mënyrë komode detyrën e tij.

“Komisioni duhet të mblidhet në mënyrë permanente për të diskutuar. Unë sot jam i shqetësuar, se si kreu i shtetit, se si Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, shprehet në media se unë jam i përgjuar. Lind pyetja dhe unë vras mendjen, nga kush është i përgjuar? A thua është tani i çliruar Komandanti i Përgjithshëm, që hoqi Gjeneralin? Kolegë deputetë, ju bëj apel që ne të mblidhemi dhe t’i vijmë në ndihmë Komandantit të Përgjithshëm, të mos e përgjojnë Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, që edhe ai të ndihet komod. Është detyrë e Komisionit të Sigurisë që në të tilla raste të jetë solidar”,-tha Qefalia.

Kohët e fundit marrëdhëniet mes Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe Presidencës kanë qenë të acaruara, pasi Pirro Ahmetaj, atë kohë këshilltar ushtarak i Nishanit, akuzoi deputetët e këtij komisioni si të inkriminuar. Kjo solli një vazhdë veprimesh, vec të tjerash dhe një letër të kryetarit Spartak Braho drejtuar Metës, Kodhelit e Nishanit.

Më pas Ahmetaj dha dorëheqjen. Edhe për këtë çështje, deputeti Qefalia kërkoi më shumë reagim nga ana e komisionit.

“Z. kryetar, kohët e fundit Komisioni i Sigurisë Kombëtare është atakuar jashtëzakonisht në media madje dhe është akuzuar në format më të ndryshme. Do doja t’u thosha kolegëve të opozitës dhe mazhorancës, që ne jemi një komision në përbërje të së cilit ka shumë, intelektualë, ish-ministra, ish-drejtues të lartë të policisë, të cilët mbajnë goxha vlerë mbi punën që kanë kryer. Por të akuzohet Komisioni i Sigurisë, dhe të ketë heshtje...”, - tha Xhemal Qefalia.

Kryetari i komisionit, Spartak Braho ndërhyri për ta përmbyllur debatin, duke përmendur ish-këshilltarin ushtarak të Nishanit.

"Pirro Ahmetaj iku me bisht në shalë. Nuk kemi ardhur këtu të dënojmë atë. Duhet të merremi me ligjin,"-tha Braho.

Këto diskutime u bënë ndërkohë që në komision po shqyrtohej një projektligj i sjellë nga Drejtoria e Burgjeve. 
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Nadal mundet në finale e Swedish Open

Nadal mundet në finale e Swedish Open