Një 49-vjeçar është vënë në pranga në Krujë ditën e sotme pasi ishte shpallur në kërkim që prej janarit 2022, pasi qëlloi me armë drejt një banesë në Shkodër për shkak të një konflikti për motive pronësie. Ded Arraj është nën masën arrest me burg.
“Në kuadër të këtij operacioni, u kap dhe u vu në pranga shtetasi i kërkuar Ded Arraj, 49 vjeç, banues në fshatin Dukagjinin e Ri, Krujë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Shtetasi Ded Arraj më datë 26.01.2022, në fshatin Kasnec, Shkodër, për shkak të një konflikti për motive pronësie, ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të banesës së shtetasit N. U. 49-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale”, njofton policia.