GJIROKASTËR- Një 17-vjeçar me iniciale P.Dh., nga fshati Gjat ra në prangat e policisë pasi gjatë mbrëmjes së djeshme ka qëlluar në ajër me një armë zjarri të llojit automatik.
Policia e arrestoi brenda pak orësh 17-vjeçarin, pas njoftimit të marrë se në fshatin Gjat, Lunxhëri ishin dëgjuar të shtëna.
Pasi ka qëlluar, 17-vjeçari ka fshehur armën e zjarrit dhe është larguar.
Policia ka gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit, me të cilën dyshohet se i riu ka qëlluar në ajër, si dhe dy krehra.
Po ashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij u gjet edhe një armë sportive, pa leje.
17-vjeçari akuzohet për veprat penale:“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive" dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.