Këngëtari amerikan Chris Brown është shpallur fajtor për sulmin e qenit të tij që dëmtoi rëndë dhe shpërfytyroi punonjësen e shtëpisë në vitin 2020.
Pas një gjyqi dyjavor në Los Anxhelos, juria vendosi në favor të Maria Avila, e cila u sulmua nga qeni rreth 90 kilogramë në pronësi të reperit, ndërsa ajo po nxirrte mbeturinat në shtëpinë e tij në Tarzana, Kaliforni.
Brown dhe kompania e tij Black Pyramid LLC tani duhet t’i paguajnë asaj 12.9 milionë dollarë për neglizhencë, sipas Billboard.
Avila tha se qeni, i quajtur Hades, i kishte shqyer “copa të mëdha lëkure”, gjë që më pas çoi në shpërfytyrim të përhershëm të fytyrës, shenja të rënda, humbje shikimi dhe dëmtime nervore.
Brown pretendonte se qeni mbahej për qëllime sigurie dhe nuk ishte kafsha e tij personale.
Dëshmitarë në gjyq thanë se reperi ishte larguar nga vendngjarja pas sulmit duke lënë punonjësit të kujdeseshin për Avila duke thënë se do të krijohej “kaos mediatic” nëse do të ishte ai që do t’u telefononte shërbimeve të emergjencës apo i pranishëm kur të mbërrinte
Brown tha se po bëhej gati të bënte dush kur dëgjoi qenin dhe zbriti poshtë, ku pa Avila të shtrirë dhe të mbuluar me “shumë gjak”.
“Gjaku më tronditi pak,” tha ai, duke shtuar se ishte “në shok” kur ndoqi këshillën e menaxherit të tij për t’u larguar para se të mbërrinin shërbimet e emergjencës.
Brown pranoi një pjesë të përgjegjësisë para fillimit të gjyqit, por kundërshtoi shkallën e dëmtimeve të Avilës dhe argumentoi se ajo kishte edhe vetë faj të pjesshëm për incidentin.
Këngëtari tha se kishte paralajmëruar punonjëset se qentë nuk ishin shumë miqësorë dhe u kishte thënë të dilnin jashtë vetëm kur ishte e pranishme siguria. Dy punonjëset e shtëpisë e mohuan këtë bisedë me Brown dhe thanë se pengesat e tyre me gjuhën angleze do ta bëin një komunikim të tillë të pamundur.
Brown tha se qeni ishte blerë dhe mbahej nga rojet e tij të sigurisë për të mbrojtur shtëpinë nga grabitjet.
Avila i tha gjykatës se kishte mbetur me shenja të rënda në fytyrë dhe në krahun e majtë, si dhe me lëvizshmëri të kufizuar pasi kirurgët i kishin marrë lëkurë nga barku për të riparuar krahun.
Ajo deklaroi se nuk kishte qenë më në gjendje të kthehej në punë për shkak të dëmtimit në krah dhe çrregullimit të stresit post-traumatik që e pengon të qëndrojë pranë qenve.
Edhe motra e saj, Patricia, ka përfituar 885 mijë dollar. Gjithashtu, bashkëshorti i Avila, Oscar Olivo, ka përfituar 50 mijë dollarë nga gjyqi.
Chris Brown aktualisht është në turne në SHBA me këngëtarin Usher. Në tetor, atë e pret një tjetër gjyq në Mbretërinë e Bashkuar për sulmin me shishe ndaj një producenti muzikor në një klub nate në vitin 2023.
Komente
