Qentë endacake janë kthyer në shqetësim serioz për banorët dhe turistët në qytetin bregdetar të Vlorës. Ata shihen në koloni përgjatë Lungomares dhe përgjatë rrugëve kryesore. Një ditë më parë një turiste italiane ra pre e sulmit teksa kishte dalë shëtitje buzë detit.  Në pamjet e siguruara nga Report Tv shihet momenti kur ajo rrethohet nga 4 qen rruge, që lehin dhe e kafshojnë në këmbë.

Report TV u interesua pranë Urgjencës së Spitalit Rajonal të Vlorës ku mësojmë se cdo ditë paraqiten 2-3 qytetarë me plagë nga kafshimet e qenve. Po spitali zyrtarisht perpiqet ta mbaje te fshehur fenomenin.

Shqetësimi i banorëve pranohet dhe nga përgjegjësi i Veterinarisë në Bashkinë e Vlorës, i cili thotë se qentë zbarkojnë me kamione në Vlorë nga bashkinë e tjera fqinje. Por nuk janë të pakta as rastet e braktisjes së kafshëve shtëpiake.

Si zgjidhje imediate por e përkohshme shihet sterilizimi dhe kastrimi i kafshëve të rrugës. Bashkia e Vlorës ka lidhur kontratën me një shoqëte dhe ka miratuar fondin me vlere 2.5 milionë lekë për këtë shërbim.