Qentë e rrugës por dhe ata me pronarë vijojnë të jenë shqetësim për qytetarët në Vlorë. Pronarët e kafshëve shoqëruese shpesh i lënë pa maska dhe pa lidhur. Vetëm paraditen e kësaj të marte, 3 qytetarë janë sulmuar teksa shëtisnin përgjatë Lungomares.

Konfirmimi vjen edhe nga bluzat e bardha në urgjencën e Poliklinikës së Specialiteteve. Infermierja Vojsava Hitaj deklaron se brenda muajit mars janë paraqitur 16 pacientë me plagë të shkaktuara nga kafshimi i qenve.

“E vërejmë në punën tonë të përditshme kemi goxha kafshime nga qentë sidomos nga qentë endacak por nuk mungojnë as ata që janë me pronarë. Sot kemi 3 raste, dje nuk kishim. Nga 1 marsi deri më tani janë bërë rreth 16 kafshime nga qentë”, tha Vojsava Hitaj.

Kështu tri rastet e sotme nuk janë episodike sporadike. Pasojat janë jo vetëm fizike por edhe psikologjike për qytetarët që bien pre e sulmeve nga qentë në qytetin bregdetar.