Kombëtarja shqiptare e futbollit luan me Çekinë në 12 tetor në "Air Albania". Sfida vlen për grupin E kualifikues të Euro 2024, me trajnerin Sylvinho që ka marrë një lajm të mirë në prag të këtij dueli.
Sulmuesi Sokol Cikalleshi ka lënë pas dëmtimin dhe është rikthyer në stërvitje me skuadrën e tij turke të Konyaspor. Kavajasi u lëndua në përballjen me Rizespor, e luajtur më 16 shtator.
Pas pesë javëve të luajtura, Cikalleshi ka shënuar tre gola dhe ka dhënë një asist. Edhe pse u fol se do mungonte për tre javë, tanimë Cikalleshi është gati dhe duhet se do marrë minuta në përballjen kundër Hataysporit në fundjavë.
Tanimë pas rikuperimeve të Brojës dhe një alarmi që rezultoi fals për Uzunin, Sylvinho merr lajmin e mirë edhe për Cikalleshin.