Qeveria amerikane padit shtetin e Teksasit për ligjin që ndalon abortin

Qeveria amerikane padit shtetin e Teksasit për ligjin që ndalon abortin

Attorney General Merrick Garland

Qeveria amerikane paditi shtetin jugperëndimor të Teksasit të enjten, në përpjekje për të bllokuar ligjin e tij të ri, që ndalon abortet në këtë shtet pas rreth gjashtë javësh të shtatzënisë, ligji më kufizues kundër abortit në vend.

Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland, tha në një konferencë shtypi në Uashington, se ligji i Teksasit "është qartësisht antikushtetues sipas precedentëve afatgjatë të Gjykatës së Lartë" që u jep grave në SHBA të drejtën kushtetuese për të abortuar.

Ai tha se Departamenti i Drejtësisë, në ngritjen e padisë kundër shtetit të dytë më të madh të vendit, "ka për detyrë të mbrojë sundimin e ligjit". Ai tha se "të gjitha dispozitat" e ligjit ishin shqetësuese.

Gjykata e Lartë Amerikane, me një votim 5-4 javën e kaluar, lejoi që ligji të qëndrojë në fuqi, një vendim që u përshëndet nga mbështetësit kundër abortit, që kërkojnë të përmbysin përfundimisht vendimin historik të gjykatës të vitit 1973, që deklaron se gratë në SHBA gëzojnë të drejtën kushtetuese për të abortuar.

Ata që mbështesin të drejtat e abortit në Shtetet e Bashkuara, përfshi Presidentin Joe Biden, e kritikuan vendimin e gjykatës.

Presidenti Biden paralajmëroi se ligji do të shkaktonte "kaos jokushtetues", sepse u jep të drejtën qytetarëve privatë dhe jo zyrtarëve qeveritarë, për zbatimin e ligjit përmes ngritjes së padive civile kundër atyre që ndihmojnë një grua të abortojë pas gjashtë javësh, qofshin këta mjekë që kryejnë procedurën, apo ata që e çojnë një grua në një klinikë.

Ligji i shpërblen individët që fitojnë gjyqin me të paktën 10,000 dollarë dhe nuk bën përjashtime për rastet e përdhunimit ose incestit.

Guvernatori republikan i Teksasit Greg Abbott tha këtë javë se shteti do të përpiqet të "eliminojë të gjithë përdhunuesit nga rrugët e Teksasit" duke i arrestuar dhe ndjekur penalisht. Ai mbrojti ligjin, duke thënë se gratë që përdhunoheshin do të kishin ende gjashtë javë për të ndërprerë shtatzëninë. Shumë gra nuk e kuptojnë që kanë mbetur shtatzënë brenda gjashtë javësh.

Ata që mbështesin të drejtat e abortit në SHBA kanë frikë se vendimi i gjykatës së lartë parashikon rrëzimin ose kufizimin e vendimit të vitit 1973 që favorizon të drejtën e abortit.

Në mandatin e saj të ri, që fillon muajin e ardhshëm, Gjykata e Lartë do të dëgjojë argumentet mbi ndalimin e aborteve pas 15 javësh të shtatzënisë që miratoi shteti jugor i Misisipit./VOA

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Sarandë, 2 vite burg biznesmenit Pando Papuçi I Konfiskohet pallati 7 katësh në ndërtim e sipër! Ishte pa leje

Sarandë, 2 vite burg biznesmenit Pando Papuçi I Konfiskohet pallati 7 katësh në ndërtim e sipër! Ishte pa leje