Qeveria cakton fond 3.7 mln €
për shpërblime administratës

Qeveria cakton fond 3.7 mln €<br />për shpërblime administratës<br /><br>
Me një Udhëzim të datës 19 janar, ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ka caktuar fondi prej 500 milionë lekësh të reja, ose 3.7 milionë euro, si fond të veçantë për të gjitha institucionet publike qendrore. Sipas ligjit, fondi i veçantë i Buxhetit nuk është pjesë e fondit të pagave të administratës publike. Ai alokohet dhe mund të përdoret vetëm me miratimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

Në përputhje me një vendim të mëparshëm të qeverisë, fondi i veçantë në njësitë e qeverisjes së përgjithshme krijohet në masën 5% të fondit të pagave. Ai mund të përdoret nga drejtuesit e njësive të qeverisjes së përgjithshme për shpërblimin e punonjësve për rezultate të mira në punë; shpërblimin e punonjësve në fund të vitit kalendarik; shpërblime të tjera, të parashikuara me akte të tjera ligjore apo nënligjore; dhënie ndihmash të menjëhershme për raste fatkeqësish dhe për raste të tjera apo edhe veprimtari social-kulturore.

Shpërblimet- VKM parashikon edhe që shpërblimi në fund të vitit i jepet çdo punonjësi buxhetor, për festat e fundvitit, në masën 10 mijë lekë, Por vitet e fundit ka qenë vetë qeveria, e cila ka vendosur, me Vendim të veçantë, që të mos jepet ky shpërblim. Konkretisht, në fund të vitit të kaluar, një Vendim i Këshillit të Ministrave sanksiononte: “Përjashtimisht për vitin 2017, fondi i veçantë i njësive të qeverisjes së përgjithshme nuk përdoret për veprimtari social-kulturore dhe shpërblimin e punonjësve, me përjashtim të një shpërblimi për festat e fundvitit për punonjësit e Policisë së Shtetit. Masa e shpërblimit për këta punonjës përcaktohet nga titullari i ministrisë, në përputhje me fondin aktual, të veçantë, të miratuar për vitin 2017, por, në asnjë rast, ky shpërblim nuk tejkalon masën 10.000 lekë". Pra, u është dhënë vetëm policëve.

Festat- Po kështu, sistematikisht është përjashtuar mundësia që të përdoren fonde nga buxheti për festa të fundvitit, apo aktivitete të tjera, pavarësisht se me VKM parashikohet ndryshe. “Në veprimtari me karakter social apo kulturor, që përballohen nga fondi i veçantë, përfshihen ato veprimtari të cilat organizohen vetëm për punonjësit e institucionit, sikurse janë ato të organizuara për rastet e daljeve në pension, të festimeve të fundvitit dhe të tjera organizime të realizuara nga institucioni. Në çdo rast, masa e shpenzimit, që mbulohet nga fondi i veçantë për këto veprimtari, nuk duhet të kalojë vlerën e 2.500 lekë për punonjës. Kur veprimtaritë social-kulturore organizohen jashtë qendrës së punës, shpenzimet e transportit dhe të akomodimit paguhen nga vetë punonjësit”, theksohet në vendimin që përcakton mënyrat e përdorimit të këtyre fondeve.

Ndihmat- Në ndihma të menjëhershme për raste fatkeqësish dhe raste të tjera, të cilat përballohen nga fondi faktik i veçantë, përfshihen pagesat për rastet e vdekjes së punonjësit të institucionit. Pagesa i jepet familjes së punonjësit nga titullari i institucionit në masën e një page mujore, por jo më pak se 50 mijë lekë; vdekjes së një anëtari të familjes së punonjësit (bashkëshorti/ja, prindërit apo fëmijët). Pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në 30 mijë lekë, për çdo rast.

Po kështu përdoret fondi i veçantë në rast të sëmundjeve të rënda të punonjësit, kur kërkohet një ndërhyrje kirurgjikale apo një trajtim mjekësor i gjatë. Pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në 50 mijë lekë, për çdo rast. Gjithashtu, me rastin e daljes së punonjësve në pension pleqërie, pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në masën e një page mujore.

Shumat- Janë 81 mijë e 503 punonjës në administratën qendrore, duke filluar nga Kuvendi, Presidenca, apo Kryeministria, deri tek agjencitë qeveritare, Gjyqësori apo Prokuroria. Për këta punonjës është vënë në dispozicion një fond limit prej 500 milionë lekësh, ndarë në përputhje me numrin e punonjësve të secilit institucion.

Fondin më të madh prej 191 milionë lekësh e merr ministria e Arsimit, duke qenë se ka edhe numrin më të madh të punonjësve në sistemin e saj: 31 mijë vetë.

fondi1
fondi1

Er.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Media gjermane “Blick”: Vizitoni Shqipërinë, vendin mesdhetar me pasuri historike dhe kulturore

Media gjermane “Blick”: Vizitoni Shqipërinë, vendin mesdhetar me pasuri historike dhe kulturore