TIRANË- Ambasada ruse, e cila ishte e pozicionuar në qendër të Tiranës, është zhvendosur. Në një njoftim në Facebook thuhet se shërbimet konsullore ofrohen në Mjull Bathore në rrugën ‘Dervish Shaba’, ku është edhe adresa e re. Mediat kanë raportuar se kjo lëvizje është bërë për shkak se rruga përballë godinës, që pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, u emërtua ‘Ukraina e Lirë’.  Ndërkohë në një foto të publikuar nga LSA shihen punonjës pranë ambasadës të cilët po heqin flamurin e Rusisë nga godina.

Me një vendim unanim, Këshilli Bashkiak i kryeqytetit emëroi "Ukraina e Lirë” rrugën para ambasadës ruse, ku ndodhen edhe ambasadat e Ukrainës dhe të Serbisë.

"Vendimi është një mesazh që po jepet nga shumë qytete. Ambasada e Rusisë, do të duhet që, si gjithë ambasadat e tjera që ndodhen aty, të shkruajnë në kartëvizita adresën në rrugën "Ukraina e Lirë,” tha kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ndërsa shoqëria civile dhe qytetarët e Tiranës protestuan kundër agresonit rus ndaj Ukrainës, në rrugën që u emërua ”Ukraina e Lirë”.