Qeveria, emrat që fliten: LSI
4 ministri, të tjerat socialistët

Qeveria, emrat që fliten: LSI<br />4 ministri, të tjerat socialistët
Tiranë - Përfliten emrat e parë të kabinetit. Mund të ndodhë që shumë prej tyre të jenë vetëm “muhabete tavolinash”, por 20 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, duket se pak nga pak, gjithçka po formësohet. Dy forcat kryesore politike, PS e LSI, kanë tendencën që të koordinohen me njëra - tjetrën, për të lënë radhë veprimi dhe bashkëpunimi në drejtimin e dikastereve.

Kafenetë e dy selive kryesore që do të qeverisin në shtator Shqipërinë gumëzhijnë. Në selinë e PS shkohet akoma edhe më larg, kur në katin e parë, ngjyrat e Rilindjes dhe logoja e saj i kanë zënë vendin një logoje të re “Zyra e kryeministrit të zgjedhur”.

Edi Rama, ka filluar punën. Po ashtu, edhe Ilir Meta. Deri tani, asnjë prej tyre nuk ka nisur pushimet. E ndërkaq, stafet kanë filluar të përflasin edhe emrat e rinj të kabinetit qeveritar.

Dy njerëz po punojnë për strategjinë dhe programin, por emrat e njerëzve që do të drejtojnë qeverinë, janë tashmë më të përfolurit dhe më kuriozët për të gjithë, në kafene, apo edhe mes deputetësh të rinj të zgjedhur.

Frika e vetme që kanë, është se nuk dalin hapur. Por çfarë gëlon korridoreve të dy partive kryesore dhe cilët janë të përfolurit e parë, që jo domosdoshmërisht mund të jenë ministra, por që lakohen sa në një seli në tjetrën?

Në PS ta thonë troç se pikat kyçe që janë deklaruar si prioritare në qeverisjen e re të së majtës, do të mbeten tek socialistët. Arsimi, Shëndetësia dhe Rendi, (një ministri që pritet të ndahet, Ministria e Rendit veç dhe ajo e Pushtetit vendor veç) do të drejtohen nga socialistët. “Nuk është e vërtetë, të thonë zyrtarët te LSI. Tek arsimi do të vendoset një emër nga LSI. Ai është projektuar, dhe është Shezai Rrokaj”. Por në PS thonë se drejtimi i arsimit do të mbetet te PS.

Një ndër emrat e përfolur është Ledi Shamku. Kjo e fundit, nuk e mori dot mandatin e 17 të deputetit në Tiranë. Por që nuk dihet nëse do të jetë apo jo në parlament, pas rregullit të vendosur se ministrat do të heqin dorë nga mandati i deputetit.

“Për te rendi, emri kryesor që përflitet është ai i Sajmir Tahirit.

Edhe në debatet kryesore televizive para fushatës për çështjet e rendit dilte vetëm Sajmiri. Madje, ai është edhe kryetar i PS së Tiranës kështu që mund ta lërë mandatin e deputetit për postin e ministrit” thonë disa zyrtarë të PS.

LSI duket se do të përfaqësohet me disa ministra në kabinet. Dhe ndër emrat e përfolur në selinë e LSI, janë disa. “Duket se është vendosur për Lefter Kokën. Ai do të jetë ministër.

Varet si do të ndahet ekonomia me energjetikën, por në njërën nga këto pika. Ndërkohë që LSI do të drejtojë edhe ministrinë e Transporteve. Aty njeriu që përflitet është Ylli Manjani

Meqënëse ata (socialistët) do të mbajnë rendin, ministria e Mbrojtjes do të drejtohet nga LSI dhe emri që do ta drejtojë atë deri tani, diskutohet për Luan Ramën, i cili edhe më parë e ka mbajtur këtë detyrë”, thuhet nga zyrtarët e LSI. Kur vjen puna te diplomacia, nuk ka shumë vështirësi. Ministria e Jashtme do të drejtohet nga PS, dhe emri që ka më shumë shance sipas asaj që thuhet nën zë, është i deputetit Ditmir Bushati.

Sa për integrimin, ai mund të jetë një ekskluzivitet i LSI. Një ministri për emigracionin dhe të rinjtë është projektuar për të qenë në strukturën e kabinetit të ri, sipas fjalëve që qarkullojnë në PS. “Njeriu që do të merret dhe do t'i ngarkohet kjo detyrë është Erion Veliaj. Ai u mor me të rinjtë, e sidomos me REFRESSH, por edhe me organizimin e emigrantëve që erdhën për zgjedhjet lokale” të thonë në zyrat e selisë rozë.

Ndërsa për financat është një gjë që do të marrë formë shumë shpejt, por emri më i lakuar, më i përmendur në selinë rozë është ai i Ilir Beqjas.

Padyshim këta janë të parët që përmenden. Edhe pse deri tani dy partitë kryesore kanë deklaruar se kanë rënë dakord që Edi Rama do të jetë kryeministër i Shqipërisë dhe Ilir Meta kryetar i Kuvendit, dhe se asgjë tjetër nuk është bërë publike, duket se gjithçka po formësohet kur ka mbetur edhe pak më shumë se një muaj nga ndërtimi i  kabinetit.

E ndërkaq, Edi Rama e ka deklaruar edhe më parë se për çështjen e pronës, legalizimit dhe kompensimit do të ngrejë një agjenci më vete që do t’i mbledhë të gjitha bashkë. Deri më tani, fjalët për drejtimin e kësaj agjencie janë për Artan Lamen. Po ashtu, në takimet e tij publike, Edi Rama ka përmendur edhe krijimin e një agjencie për  menaxhimin e zonës bregdetare. Dhe për këtë post, përflitet emri i Auron Tares.

Edi Rama ka hedhur poshtë të gjitha ato që fliten dhe pasqyrohen në media për emrat e kabinetit. Ka deklaruar se deri më tani flitet vetëm për parime dhe jo për emra ministrash. Por, sërish selitë e partive gëlojnë nga “thashethemnaja”. Asnjë prej atyre që pi kafen e mëngjesit pranë këtyre dy selive, nuk mendon për asgjë tjetër, përveçse për ekipin e ri qeveritar që do të qeverisë shqiptarët.

KABINETI I PERFOLUR PER QEVERINE PS-LSI PAS ZGJEDHJEVE TE 23 QERSHORIT

Kryeministër Edi Rama (PS)

 Zv,kryeministër Edmond Haxhinasto (LSI)
Ministër i Rendit – Sajmir Tahiri (PS)
Ministër i Pushtetit vendor - ??
Ministër i Jashtëm – Ditmir Bushati
Ministër i Integrimit - ??
Ministër i Ekonomisë – Lefter Koka (LSI)
Ministër i Energjetikës – (PS)
Ministër i Arsimit – Shezai Rrokaj ose Ledi Shamku
Ministër i Shëndetësisë – PS
Ministër i Emigracionit e Rinisë – Erion Veliaj
Ministër i Financave – Ilir Beqja (PS)
Ministër i Transporteve – Ylli Manjani (LSI)
Ministër i Mbrojtjes – Luan Rama (LSI)
Agjencia e pronës, legalizimit, kompensimit – Artan Lame
Agjencia e menaxhimit të bregdetit – Auron Tare

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës