Qeveria hap thesin për SHISH
miratohen pagesat e reja shtesë

TIRANE - Emërimi i Visho Ajazi Likës në krye të SHISH, hap një kapitull të ri për këtë institucion të rëndësishëm të sigurisë kombëtare. Qeveria nis të mbështesë financiarisht këtë institucion, duke nisur fillimisht me kompensimin e punonjësve që janë larg banesave të tyre. Me propozim të kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi dje, për herë të parë pas disa vitesh të akordojë pagë shtesë për kompensimin e udhëtimeve të agjentëve të cilat për arsye të ndryshme iu duhet ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre jashtë vendbanimit.

Sipas vendimit të djeshëm kompensimi llogaritet sipas kilometrave që një punonjës i SHISH duhet të udhëtojë dhe varion nga 8 000 lekë në muaj deri në 20 000 lekë. Për ata që udhëtojnë nga 36 km deri 60 km pagesa shtesë do të jetë në masën deri 8 000 lekë/muaj; Nga 61 km deri 100 km kompensimi do të jetë në masën deri 10 000 lekë/muaj; Nga 101 km deri 150 km, në masën deri 13 000 lekë/muaj; Nga 151 km deri 200 km kompensimi do të jetë në masën deri 15 000 lekë/muaj dhe mbi 200 km punonjësit e SHISH do të kompensohen deri në 20 000 lekë/muaj.

“Përfitimi i kësaj pagese vazhdon deri në ndryshimin e vendbanimit të punonjësit të SHISH-it, që nënkupton sistemimin me banesë në territorin e juridiksionit të qendrës së punës, ku punonjësi është transferuar. Kjo pagesë do të përfitohet edhe nga punonjësit që janë aktualisht të transferuar, por jo nga punonjësit që emërohen për herë të parë në SHISH.”- thuhet në vendimin e djeshëm të firmosur nga kryeministri Berisha në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 22, të ligjit nr.9357, datë 17.3.2005, “Për statusin e punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit”. Shtesa është propozuar nga Kryeministri dhe është miratuar nga Këshilli i Ministrave.

DOKUMENTET E KOMPENSIMIT

Për të përfituar pagesën sipas pikës 1 të këtkij vendimi punonjësit e SHISH-it i duhet të paraqesin pranë Drejtorisë Juridike dhe Burimeve Njerëzore një sërë dokumentesh:
- kërkesë me shkrim, me gjenealitetet e plota, adresën ku banon aktualisht familja e tij, si dhe adresën ku banon përkohësisht vetë punonjësi;
- fotokopje të kartës së identitetit dhe çertifikatë të gjendjes civile;
- vërtetim nga njësia administrative, ku të vërtetohet vendbanimi i familjes dhe i vetë punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit, pavarësisht nga gjendja civile.

Qeveria përcakton se efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i miratuar për Shërbimin Informativ të Shtetit dhe kreu i SHISH, VIsho Ajazi ngarkohet për zbatimin e këtij vendimi. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

PARATE E MUNGUARA KUR SHISH DREJTOHEJ NGA SHAQIRI

Kompensimi financiar dhe buxheti i nevojshëm për kryerjen e operacioneve të fshehta nga ana e SHISH kanë qenë kërkesa të vazhdueshme që Bahri Shaqiri, kur ishte në postin e kreut të SHISH i ka drejtuar shpesh Kuvendit në diskutimet për buxhetin. Por të dhënat tregojnë se fondi i akorduar për SHISH pësoi ulje vit pas viti duke vënë në vështirësi financiare këtë institucion.

Emërimi me propozim të kryeministrit dhe pranim të presidentit Nishani të Visho Ajazi Likës në postin e kreut të SHISH duket se hapi një kapitull të ri për këtë institucion. Visho Ajazi Lika u emërua më 9 gusht 2012, ambasada amerikane deklaroi se nuk kishte pasur dijeni për ndryshimin e kreut të SHISH. Pak ditë më pas, ambasadori i SHBA-se Arvizu. (më 17 gusht) i bëri apel që të kujdeset për shërbimin informativ duke shtuar “të ecë në rrugën e Bahri Shaqirit, njeriut që zëvendësoi”. Ndërkohë opozita e akuzon se me emërimin e Likës mund të rikthehet koha e SHIK e 1992- 1997 kur Visho Ajazi Lika mbante postin e zv drejtorit, ndërkohë që Bashkim Gazidede ishte në krye të SHIK.

(Vendimi është publikuar në faqen e kryeministrisë Ketu )

(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, Bucks humbasin sërish! Fitojnë Miami e Memphis

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, Bucks humbasin sërish! Fitojnë Miami e Memphis