Qeveria, kërkesa
të ulta për lotarinë

Qeveria, kërkesa <br />të ulta për lotarinë
Kushtet që ka vendosur së fundmi qeveria shqiptare për të dhënë licensën unike të lotarisë kombëtare janë tepër favorizuese për atë që do ta marrë dhe aspak në favor të arkës së shtetit. Kjo del nga kërkesat e shpallura në Vendimin nr.25 të këtij viti të Këshillit të Ministrave për operatorët që do të marrin pjesë në garë dhe, më pas, nga pagesa që kërkohet si detyrim shtetit për të dhënë këtë licensë.

Kompania italiana Lottomatica, e cila operon në fushën e lotarive kombëtare në vendin fqinjë, ka asete me vlerë totale prej afro 8 miliardë eurosh dhe të ardhura të deklaruara në vlerën 2.3 miliardë euro gjatë vitit 2010. Mund të mendohet se në botë ka edhe kompani të tjera edhe më të fuqishme financiarisht, si në SHBA apo gjetkë, kështu që, në rast se qeveria do të dëshironte të ftonte në garë firma tepër serioze, ajo duhej të kishte vendosur kritere shumë më të larta se këto, që ka vendosur për pjesëmarrësit në tenderin e garës për licensën e lotarisë.

Pagesa e licensës vetëm me 500 milionë lekë është shumë e vogël, duke qenë se fjala është këtu për një lotari kombëtare në regjim monopoli. Me një kalkulim të shpejtë, duke pasur parasysh sa janë rritur këto lojëra si xhiro vitet e fundit nëpër botë, 5 milionë dollarë janë fare pak. Kompania fituese mund t'i shlyente brenda një viti të vetëm këto që i kërkon shteti shqiptar.

Nga ana tjetër, kriteri KK5 (Net Asset Value) i kërkuar, me shifrën 50 milionë euro asete është qesharak për kompani të tilla gjigande.
Nga aspekti juridik, kërkesat e shtruara në Vendimin e Këshillit të Ministrave janë korrekte, në përputhje me kritere të njohura të lojërave të fatit në Evropë. Por, pyetja shtrohet se pse e ka lëshuar kaq lirë qeveria, në kohë krize, këtë pasuri jo të vogël?

Përgjigja do të dalë, jo kur të shpallet fituesi, që mund të jetë një shoqëri e njihur, por kur të merret vesh se kush subjekt ka qenë pas saj. VKM lejon bashkimin "e përkohshëm" të subjketeve, që duan të marrin licensën 10-vjeçare të lotarisë kombëtare. Sikurse ka ndodhur në një numër tenderash për rrugët, etj, një subjekt shqiptar, që nuk përmbush kriteret, është fshehur pas kompanive jo të vogla ndërkombëtare e më pas këto të fundit janë tërhequr, duke lënë hapur shtegun e korrupsionit.

Kur erdhi në pushtet, qeveria Berisha gjeti dy kompani të licensuara me afat 10-vjeçar, që duhej të ushtronin aktivitetin e tyre deri më 2014. Ato u njoftuan se duhej të pezullonin aktivitetin se po përgatitej një ligj i ri. Më pas, iu tha se do të dëmshpërbleheshin, por deri tani ato i kanë lënë në mëshirë të fatit, pas shpenzimeve miliardëshe që kishin bërë. Aktiviteti u përqendrua vetëm në kazino e lojëra elektronike, ku tregu është nën ndikimin e fuqishëm të njerëzve pranë Berishës e Bodes. Ky i fundit erdhi në pushtet edhe me premtimin se do të mbyllte kazinonë në qendër të Tiranës, por më pas deklaroi në Kuvend se një mik shumë i fuqishëm nga SHBA i kishte sugjeruar se kompania fituese kishte paguar 10 milionë dollarë dhe nuk mund të ikte më.

Në fakt, kompanisë që do të fitojë garën për lotarinë kombëtare po i kërkohet edhe të paguajë sa gjysma e asaj, që paguhet për të hapur një kazino në rajonin e Tiranës dhe më pak, madje, se edhe për një të tillë në qarkun e Durrësit (1 miliard dhe 600 milionë përkatësisht).

Lotaria kombëtare kriteret e reja

Këshilli i Ministrave ka vendosur rregullat për caktimin e subjektit, që do të pajiset ëkskluzivisht për dhjetë vitet e ardhshme me licensën e lotarisë kombëtare. Vendimi është marrë në mbledhjen e qeverisë të 11 janarit dhe do të hyjë në fuqi kur të publikohet në Fletoren Zyrtare, ku ende nuk është botuar.

Vendimi
Sipas Vendimit nr. 25, datë 11 janar 2012, të Këshillit të Ministrave "Për miratimin e kritereve të vlerësimit të garës, të dokumentave standarde dhe strukturës së komisionit të vlerësimit të aplikimeve , për dhënien e licensës për lotarinë kombëtare", Autoriteti që do të organizojë procedurat për licensimin e lotarisë kombëtare është ministria e Financave. Mund të paraqesë kërkesë pranë këtij institucioni çdo person juridik apo bashkim personash juridikë, shqiptarë apo të huaj. Bashkimi mund të jetë i përkohshëm, por duhet të përcaktojë një prej anëtarëve të tij si kryesues, që të marrë përsipër me kontratë noteriale detyrimet në emër të të tjerëve, thuhet në VKM. Por, në rast bashkimi, asnjë prej anëtarëve nuk duhet të marrë pjesë në aplikime të ngjashme, ndryshe skualifikohen, si subjekti, ashtu edhe bashkimi.

Kriteret
Në fazën e parë, atë të parakualifikimit, do të lejohen të vazhdojnë garën ato subjekte që kanë burime dhe kualifikime të nevojshme për aspektet e standardeve të industrisë së lojërave të fatit, të zbatuara nga Shoqata Botërore e Lotarive, Lotaria Shtetërore Evropiane dhe Shoqata TOTO. Subjekti duhet të jetë i regjistruar si shoqëri tregtare ose të paraqitet me një dokument legal për bashkim të përhshëm dhe nuk duhet të jetë në proces falimentimi apo likuidimi.
Si kriter teknik, kërkohet që subjekti apo bashkimi i subjekteve të kenë 15 vite përvojë në lojërat e fatit dhe 5 vite lojëra fati nëpërmjet internetit, ndërkohë që , si kushte financiare, ato duhet të plotësojnë sa më poshte: të provojnë se realizojnë 500 milionë euro xhiro në vit në secilin prej 3 viteve të fundit, kanë 50 milionë euro asete në përfundim të secilit nga 3 vitet e fundit financiare, si dhe duhet të dershin në arkën e shtetit shqiptar 3 milionë euro garanci, që nuk kthehet në rast se subjekti tërhiqet nga gara. Në rast bashkimi, secili nga subjektet duhet të plotësojë të paktën 30% të kritereve financiare. Nga ana tjetër, aplikuesi ose anëtari kryesues i bashkimit duhet të kenë të paktën 300 të punësuar

Kualifikimi
Në vlerësimin e fituesit 15% e pikëve jepet për strukturën e aplikantit dhe gjendja financiare, 35% e pikëve për përputhjen me politikat rregullatore, 25% e pikëve i jepet plan-biznesit dhe parashikimeve financiare dhe 25% e pikëve strategjisë së zhvillimit të tregut

Tarifa
Pagesa e fituesit do të jetë 500 milionë lekë (4.7 milionë dollarë) që kalojnë në buxhetin e shtetit jo më vonë se 14 ditë nga marrja e licensës, para dërgimit të licensës për miratim në Kuvend.

Afate
Loja do të organizohet jo më vonë se 8 muaj nga dita e miratimit të licensës nga Kuvendi. Licensa jepet për 10 vjet dhe mund të revokohet kur konstatohet se fituesi ka paraqitur informacion jo të saktë ose të rremë apo kur pushon së plotësuari një nga kriteret e ligjeve për lojërat e fatit.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi