TIRANE, 28 janar /ATSH/. - Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave", të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, "Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore", dhe të nenit 15, të ligjit nr.160/2014, "Për buxhetin e vitit 2015", me propozimin e ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Këshilli i Ministrave vendosi ne mbledhjen e sotme:
Krijimin e Agjencisë për Zbatimin e Reformës Territoriale, më poshtë AZRT, si institucion publik qendror, person juridik, me seli në Tiranë, në varësi të ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, që financohet nga buxheti i shtetit dhe të ardhura të tjera të ligjshme.
AZRT-ja ka si mision dhënien e ndihmës për garantimin e vazhdueshmërisë së funksioneve dhe shërbimeve publike, në nivel vendor, në kuadër të zbatimit të reformës administrativo-territoriale. AZRT-ja ka si qëllim mundësimin e zbatimit të reformës administrativo-territoriale, nëpërmjet bashkërendimit të të gjitha masave, proceseve dhe mbështetjes administrative deri në arritjen e funksionalitetit të plotë të 61 bashkive të reja.
AZRT-ja ka gjithsej 12 punonjës. Organigrama dhe struktura e AZRT-së përcaktohen me urdhër të Kryeministrit. AZRT-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e kësaj agjencie. Drejtori i Përgjithshëm i AZRT-së emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare". /a.ke/












