Teksa është mjaftuar vetëm me disa postime të Ramës në facebook dhe Twitter, asnjë informacion tjetër nuk ka mundur të dalë jashtë dyerve të takimit, informacion sado i paktë për vetë kushtet se mbledhja e qeverisë ka qënë simbolike për hir të së vërtetës dhe jo zyrtare për shkak se kabineti i ri ende nuk është betuar për të filluar zyrtarisht detyrat e veta, por dhe diçka duhej të ishte përcjellë dhe për publikun.
Ndërkohë dhe ditën e djeshme mësohet sipas burimeve brenda kabinetit të ri qeveritar, që nuk pranojnë të identifikohen, është diskutuar në lidhje me programin qeverisës të 100 dhe 300 ditëve të para. Kreu i qeverisë ka treguar dhe njëherë vendosmërinë për të shembur të gjitha ndërtimet pa leje në vijën bregdetare por dhe më gjërë për të vendosur më në fund kontrollin e plotë mbi territorin. Rama mësohet të ketë treguar përballë ministrave vendosmërinë e tij për ta bërë realitet inisiativën "Stop Rrënimit".
Nga ana tjetër ka kërkuar nga të gjithë ministrat që të kenë gati programin e detajuar sipas dikastereve, në mënyrë që në mbledhjen e parë të kabinetit pas betimit të ministrave, të bëhet real. Burime nga qeveria e re thanë se mbledhja ka qënë shumë produktive dhe ministrat që do të marrin detyrën ditët e ardhshme kanë diskutuar mbi programin qeverisës dhe prioritetet e 100 diteve të para, duke evidentuar dhe pikat e dobëta që duhen përmirësuar. Mësohet se integrimi i programeve përkatëse të PS dhe LSI në koalicion, duke filluar nga programin për shëndetësinë, programi për taksën progresive tashmë mund të konsiderohet i përfunduar.
Kryeministri i zgjedhur Rama u ka kërkuar ministrave frymë ekipi dhe ka theksuar filozofinë e qeverisë së re që është bashkëpunimi i ngushtë me qytetarët, përfshirja e tyre jo vetëm në vendimmarrje, por edhe në hapa të tjerë konkretë të qeverisjes. Kjo filozofi sipas Ramës mbështetet dhe në faktin se situata financiare pritet të jetë dhe më e rëndë nga ajo e paraqitur deri më tani prej qeverisë Berisha.
Njëherësh mësohet se Rama ka diskutuar dhe për skemën e shpërndarjes së financimeve dhe përdorimin e tyre për çdo ministri, ku bën pjesë dhe kërkesa për një strukturë jo të rënduar për çdo dikaster, duke kërkuar efikasitet pune përmes një personeli të reduktuar. Përkundër fryrjes pa nevojë të personelit qeverisës nga qeveria paraardhëse e Berishës, përmes punësimit pa kriter të militantëve. Nga ana tjetër Rama mësohet të ketë porositur ministrat e tij që t’i japin fund përzgjedhjes së bashkëpuntorëve me të cilët do të çojnë përpara programin qeverisës, duke u kujdesur që të mos preken profesionistët në administratë.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 04.09.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)