TIRANE- Një ligj i ri për barnat do të funksionojë së shpejti në vendin tonë, pasi gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave është marrë miratim i tij. Ka qenë Ministria e Shëndetësisë ajo që ka bërë propozimin për ndryshimin e ligjit i cili pritet të sjellë çmime të unifikuara të barnave me rajonin si dhe një siguri më të lartë për to. “Ky ligj përcakton rregullat për prodhimin, vendosjen në treg, importin, eksportin, tregtimin, përshkrimin, përdorimin, kontrollin e cilësisë dhe inspektimin e veprimtarive që lidhen me barnat për përdorim njerëzor në Republikën e Shqipërisë, me qëllim garantimin e shëndetit publik.

Ligji në përputhje me synimet e tij përshkruan detyrat, përgjegjësitë dhe nivelet e bashkëpunimit dhe raportimit të Autoriteteve Kompetente në Shqipëri në fushën farmaceutike (Ministria e Shëndetësisë, Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave) me palët e interesuara” thuhet në pr/ligjin e miratuar dje nga qeveria. Ndryshimet në ligjin e barnave kanë filluar që në muajin janar të këtij viti, ku pjesë e propozimeve ishin edhe grupet e interesit. Në ndryshimet e bëra në ligj një pjesë të veçantë zë edhe pulla e barit e cila është e detyrueshme për çdo medikament që përdoret në institucione spitalore apo tregtohet në farmaci.

Por kjo pullë duhet të përmbajë edhe gjurmimin, në mënyrë që të kuptohet se ku hyn ky bar dhe ku përfundon. Sa i përket ndryshimeve, ligji i ri do të garantojë për qytetarët dhe sistemin shëndetësor barna më të sigurta, më cilësore. Parashikohen rregulla më të sakta të funksionimit të aktivitet të farmacisë, dhe këto rregulla do të bëjnë të mundur përjashtimin e abuzuesve. Sipas ligjit, tregtimi i barnave në farmaci ose në agjenci farmaceutike pa recetën e mjekut, me përjashtim të barnave OTC, dënohet me 50 mijë lekë gjobë dhe, në rast përsëritjeje, me heqje të licencës.

Po kështu edhe masa janë parashikuar edhe në rastet kur në farmaci nuk punojnë profesionistët apo mungojnë drejtuesit teknikë të saj. Masat në këto raste shkojnë 50-100 mijë lekë apo edhe heqje të licencës.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)